Ndryshimet klimatike “djegin” mijëra hektarë pyje në botë

schedule13:49 - 23 Korrik, 2021

schedule 13:49 - 23 Korrik, 2021

Nga Siberia në Kanada deri në perëndim të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, zjarret gjithnjë e më të shpeshtë po shkatërrojnë qindra mijëra hektarë pyje me një dhunë dhe shpejtësi të paprecedentë. Një dëshmi ekstreme e pasojave të ngrohjes globale.

 

Në rajonin më të gjerë dhe të ftohtë të Rusisë, Jakutia, në Siberi, kombinimi anormal mes temperaturave të larta dhe thatësirës së gjatë, ka shkaktuar një ferr flakësh që për tre javë ka shkrumbuar më shumë se 800 mijë hektarë pyje. Vatrat e zjarrit janë në zona të paarritshme për zjarrfikësit, dhe kanë lëshuar në ajër sasi të mëdha dioksidi karboni. Zjarret janë aq të fuqishëm dhe erërat aq të forta, sa tymi ka udhëtuar deri në Alaskë.

 

Është viti i dytë që sezoni i zjarreve në Siberi është kaq intensiv, duke detyruar zjarrfikësit që të studiojnë strategji të reja për shuarjen e flakëve. Në lindje  të Siberisë, zjarret e shpeshtë në zona të paprekura më parë, në një hark kohor gjithnjë e më të shkurtër – më parë ndodhnin çdo 150 vjet, ndërsa tani dy vjet radhazi – nuk i lejojnë pyjeve të rigjenerohen. Që nga fillimi i vitit 2021, në rajonin e Jakutia, zjarret kanë shkatërruar më shumë se 2.6 milion hektarë terreni dhe pyje, baras me 5 milion fusha futbolli.

 

Temperaturat e larta, thatësira dhe erërat e forta kanë shkaktuar zjarre dhe në perëndim të Kolumbisë britanike në Kanada, duke detyruar autoritetet të shpallin gjendjen e jashtëzakonshme. Janë 3 mijë zjarrfikësit që po përpiqen të shuajnë 300 zjarre aktive.

 

Në perëndim të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, jugperëndimi i Oregon po përballet me tetë zjarre të mëdha që kanë shkrumbuar 192 mijë hektarë pyje. Për momentin në bregun perëndimor janë ende 78 zjarre aktive dhe tymi i lëshuar kërcënon shëndetin e miliona amerikanëve./abcnews.al