Ndryshimet Klimatike/ Artiku rrezikon të mbetet pa akull deri në vitin 2030

schedule22:42 - 11 Qershor, 2023

schedule 22:42 - 11 Qershor, 2023

Oqeani Arktik ka të ngjarë të jetë pa akull në fillim të viteve 2030, rreth një dekadë më herët se sa ishte parashikuar më parë, sipas një studimi të botuar në revistën Nature Communications.

Ky skenar duket se do të zbatohet edhe në rastin e emetimeve të ulëta dhe kjo pavarësisht se vlerësimet në raportin e gjashtë të vlerësimit të Panelit Ndërqeveritar për Ndryshimet Klimatike (IPCC) nuk e kanë parashikuar një gjë të tillë në rastin e ndotësve me emetim të ulët.

Ky zbulim nxjerr në pah ndikimin e rëndësishëm të aktiviteteve njerëzore në Arktik dhe tregon rëndësinë e planifikimit dhe përshtatjes me këtë skenar në të ardhmen e afërt.

Akulli i detit Arktik ka qenë në rënie të shpejtë në të gjitha stinët në dekadat e fundit, por rënia është rritur që nga viti 2000. Një Arktik pa akull deti do të ndikojë në shoqëritë njerëzore dhe ekosistemet natyrore brenda dhe jashtë Arktikut.

Studiuesit, të udhëhequr nga Sung-Ki Min nga Universiteti i Shkencës dhe Teknologjisë Pohang i Koresë së Jugut, përdorën të dhëna vëzhgimi midis 1979-2019 për simulimet e modelit klimatik. Gjetjet e tyre sugjerojnë se njeriu ka ndikuar në rënien e akullit të detit Arktik dhe ky ndryshim mund t’i atribuohet kryesisht rritjes së emetimeve të gazeve serrë. Kontributi i aerosoleve dhe faktorëve natyrorë si aktiviteti diellor dhe vullkanik u zbulua të jetë shumë më i ulët. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!