Ndreu: Pjesë e parë e mjerueshme, lojtarët e mi duhet të kuptojnë diçka

schedule19:13 - 20 Nëntor, 2021

schedule 19:13 - 20 Nëntor, 2021

Ramazan Ndreu, trajneri i Kastriotit, pas ndeshjes së humbur me Vllazninë në Shkodër foli në emisionin “Gol pas goli” në Supersport. Tekniku krutan deklaroi: “Kemi lojtarë të rinj që nuk e kuptojnë që arma jonë kryesore është lufta. Pjesa e parë ishte totalisht e mjerueshme.

Ne jemi një skuadër që na mban lufta e fortë, grinta dhe dëshira, pasi nuk jemi ende të konsoliduar për të përballuar ekipe si Vllaznia. Kam kërkuar gjatë gjithë javës që duhet të vlerësojmë shumë topat e thjeshtë. I ndodhi Prodanit, ia fali topin kundërshtarit, erdhi kornja dhe më pas goli.

Jo se kemi zhvilluar ndeshje të dobëta, duke përjashtuar Kupën, dhe ndoshta pikët nuk i kemi sa kemi merituar, por jemi një skuadër që e ndjejmë peshën e mungesave. I thashë ekipit që duhet të kemi kujdes nga goditjet standarde, pasi Vllaznia ka lojtarë të gjatë. Pikërisht aty u ndëshkuam. Problemi ynë është që kemi pikë pak”.

“Krahasimi me vjet? Dalim shumë përpara portës, por nuk e kemi kualitetin për të dërguar topin në kuadrat. Kastrioti i vjetër kishte më shumë personalitet, kishim një sulmues që tërhiqte skuadrën përpara.

Kroati ishte në hije sot, kemi nevojë për një lojtar që mban topin dhe tërheq skuadrën përpara, duke na dhënë frymëmarrje. E vetmja armë e jona është lufta. Lojtarë të veçantë nuk e kuptojnë që në futboll vendosin episodet, por janë të rinj, madje kemi edhe lojtarë shtatshkurtër.

Do gjejmë mënyra për ta luftuar topin. Do mundohemi të marrim maksimumin deri në dhjetor, aty pastaj do të bëjmë 3-4 ndërhyrje në merkato”, tha Ndreu në fund. / abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!