Ndreu optimist: Duam tre pikët në Korçë, Kastrioti luan më mirë në transferta

schedule20:40 - 17 Dhjetor, 2021

schedule 20:40 - 17 Dhjetor, 2021

Fitorja me Egnatian i ka dhënë zemër Kastriotit, që nesër kërkon maksimumin edhe ndaj Skënderbeut në Korçë. Trajneri i krutanëve, Ramazan Ndreu, është optimist dhe në prag të sfidës së nesërme u shpreh:

“Ishte një fitore në kohën e duhur. Megjithatë, unë e kam thënë edhe më parë, ndeshjet më të rëndësishme për ne janë me kundërshtarët direkt, siç ishte Egnatia javën që kaloi dhe ndeshja tani me Skënderbeun. Këto ndeshje marrin një rëndësi të veçantë pasi unë mendoj se jemi një skuadër që do të rivalizojë deri në fund për mbijetesën.

Kështu që edhe ndeshja me Skënderbeun merr një rëndësi të veçantë dhe merr vlerësimin maksimal. Gjatë gjithë kësaj kohe kemi punuar në aspektin psikologjik. Jemi një skuadër që zakonisht luajmë më mirë jashtë se sa brenda. Jam i bindur që në Korçë do të japim më të mirën dhe pa diskutim shkojmë për tre pikët”.

“E kam thënë edhe më parë që të gjitha skuadrat këtë vit janë më nivel. Po të shikosh ndeshjet me kujdes, vë re se ndeshjet janë fituar nga skuadrat që janë më lart në renditje me shumë vështirësi. Kështu që edhe Skënderbeu është një skuadër shumë e mirë, ata kanë bërë ndeshje të mira brenda dhe jashtë.

Dua ta bëj një paralele edhe me në, pavarësisht luhatjeve që kemi pasur, në përgjithësi kemi bërë ndeshje të mira. Kuptohet që shkalla e vështirësisë sivjet është më e lartë. 6-7 skuadrat e para kanë investuar shumë dhe kanë potencial teknik më të lartë se ne. Është e vështirë që t’i mundesh. Shkojmë në Korçë dhe luajmë ndaj një ekip që është aty-aty me ne, që tregohet edhe nga pikët. Kam besim absolut që lojtarët japin gjithçka për të marrë maksimumin”, përfundoi Ndreu. / abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!