Të dhënat e Organizatës së Kombeve të Bashkuara për numrin e vdekjeve si pasojë e ndotjes së ajrit janë alarmuese. Sipas ekspertëve situate është aq e rëndë sa mund të thuhet se njerëzimi po shkakton shfarosjen e tij.
Çdo pesë sekonda një person ndërron jetë në botë për shkak të ndotjes së ajrit. Çdo orë vdekjet për të këtë shkak janë më shumë se 700. Janë këto të dhënat alarmuese të publikuara nga eksperti i Organizatës së Kombeve të Bashkuara për të drejtat e njeriut dhe ambientin, Dejvid Boid. Ky i fundit u shpreh se situate është aq alarmante sa mund të thuhet se njerëzimi po vetëshfaroset masivisht në të gjithë botën.
Duke folur në Gjenevë për pasojat kryesore të ndryshimeve klimaterike dhe për shkatërrimin e biodiversitetit, dhe rreziqet që sjellin ai tha se me njohuritë aktuale, planeti ynë është I vetmi ku jetesa është e mundur. Pavarësisht kësaj njerëzimi po shkakton dëme të pariparueshme, më shqetësuese se ato të shkaktuara nga revolucioni industrial.
Sipas tij 90 përqind e popullsisë në botë është e ekspozuar ndaj ndotjes atmosferike. Ndotja e ajrit shkakton shtatë milionë vdekje të parakohshme cdo vit, nga të cilët 600 mijë janë fëmijë të moshës nën pesë vjec. Janë më shumë viktima se sa mund të shkaktojë lufta, vrasjet, tuberkulozi, AIDS dhe malarja së bashku.
Numri më i madh i viktimave shënohet në zona ku jetesa është në nivel mesatar dhe të ulët. /abcnews.al