Ndotja e ajrit mund të shkaktojë kancer të mushkërive edhe te njerëzit që nuk kanë pirë kurrë duhan

schedule12:06 - 15 Janar, 2023

schedule 12:06 - 15 Janar, 2023

Shkencëtarët britanikë kanë zbuluar një mekanizëm të ri biologjik që, për shkak të ndotjes së ajrit, mund të shkaktojë kancer në mushkëri edhe te njerëzit që nuk kanë pirë kurrë duhan në jetën e tyre. Mikrogrimcat ndotëse mund të nxisin mutacione në gjene specifike (EGFR dhe KRAS), të cilat nga ana tjetër shkaktojnë kancer. Shkencëtarët shpresojnë se zbulimi i tyre do të hapë rrugën për qasje të reja në parandalimin dhe trajtimin e kancerit të mushkërive, veçanërisht në mesin e jo-duhanpirësve.

Grimcat mikroskopike PM 2.5 “fajtore”, që zakonisht gjenden në shkarkimet e automjeteve dhe tymin e karburanteve fosile, lidhen kryesisht me kancerin e mushkërive me qeliza jo të vogla, i cili është përgjegjës për më shumë se 250,000 vdekje në mbarë botën çdo vit.

“Rreziku i kancerit të mushkërive nga ndotja e ajrit është më i ulët se nga pirja e duhanit, por ne nuk kemi kontroll mbi atë që të gjithë thithim. Globalisht, më shumë njerëz janë të ekspozuar ndaj niveleve të pasigurta të ndotjes së ajrit sesa ndaj kimikateve toksike në tymin e cigareve,” tha studiuesi kryesor.

Gjetjet e reja bazohen në kërkime laboratorike dhe njerëzore, veçanërisht në gjenin EGFR, i cili është i pranishëm në rreth gjysmën e njerëzve me kancer të mushkërive që nuk kanë pirë kurrë duhan. Analiza e të dhënave nga gati gjysmë milioni njerëz në Angli, Korenë e Jugut dhe Tajvan tregon se ekspozimi ndaj përqendrimeve të larta të grimcave PM2.5 në ajër shoqërohet me një rrezik të shtuar të mutacioneve në gjenin në fjalë dhe  për këtë arsye e kancerit NSCLC.

U zbulua gjithashtu se ndotja e ajrit nxit një rritje të qelizave makrofag që çlirojnë substancën interleukin-1β, e cila nga ana tjetër lehtëson zgjerimin e qelizave me mutacione në gjenin EGFR.

Studiuesit zbuluan se mutacionet në gjenet EGFR dhe KRAS janë në të vërtetë të pranishme në indet normale të mushkërive, ndoshta për shkak të plakjes. Kur qelizat e mushkërive me këto mutacione para-ekzistuese janë të ekspozuara ndaj ndotjes së ajrit, gjasat për kancer rriten me një ritëm më të shpejtë sesa nëse qelizat në fjalë nuk do të ishin ekspozuar ndaj ndotësve./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!