Ndikimi rus në Ballkan

schedule14:30 - 11 Maj, 2019

schedule 14:30 - 11 Maj, 2019

Nga Dorina Kurtaj – Kancelarja gjermane Merkel dhe presidenti francez Emanuel Makron, nuk gjejnë dakordësi për sa i përket Ballkanit perëndimor. Kjo, sipas analistëve shkon në favor të lojës së Rusisë dhe Kinës në këtë rajon. Përçarjet brenda Bashkimit Europian, ndërprerja e bisedimeve dypalëshe mes Serbisë dhe Kosovës, si dhe kundërshtimi i Francës ndaj anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Europian, i lënë më shumë terren veprimi Rusisë.

Ndërsa vende të ndryshme festuan 1 majin, në Ballkanin Perëndimor nuk kishte atmosferë feste. Samiti i liderëve të rajonit, i organizuar në Berlin në 29 prill nga kancelarja gjermane Anxhela Merkel, ka hedhur dritë mbi përçarjet dhe pavendosmërinë, në vend të unitetit dhe strategjisë. Analistë të ndryshëm shprehen se është njësoj sikur liderët europianë nuk ishin në dijeni të kësaj mundësie: mungesa e një politike të mbështetur për një kohë të gjatë ndaj vendeve të Ballkanit Perëndimor, i lë më shumë terren veprimi Rusisë dhe Kinës në rajon.

Ata ngrejnë shqetësimin për faktin se mënyra me të cilën qeveritë europiane kanë dështuar vazhdimisht në Shqipqri, Bosnje e Hercegovinë, Maqedoninë Veriore, Malin e Zi, Serbi dhe Kosovë. Duket sikur Bashkimi Europian ka mësuar shumë pak nga lufta e Ish Jugosllavisë në vitet ’90 e cila hodhi dritë në përçarjet e thella mes vendeve të mëdha të BE-së.

Lufta përfundoi në vitin 1999, por nuk i dha fund konfliktit shekullor mes Serbisë dhe Kosovës, një konflikt që ende sot e kësaj dite ndan në disa palë Bashkimin Europian. Ky i fundit nuk arriti të mbajë një qëndrim të bashkuar për njohjen e pavarësisë së Kosovës në vitin 2008, me disa vende, mes të cilave Spanja, që kundërshtuan këtë status të ri të vendit. Serbia, ndërsa në vitet ’90 u krye një spastrim etnik në Kosovë, që u përmbyll vetëm pas ndërhyrjes së NATO-s, ka refuzuar gjithmonë shpalljen e pavarësisë.

Por Serbia synon anëtarësimin në Bashkimin Europian, dhe për këtë arsye një vit më parë propozoi një shkëmbim territoresh në linja etnike me Kosovën. Një përpjekje për të normalizuar marrëdhëniet mes dy vendeve. Ideja ishte që në rast se ko do të pranohej, Beogradi do të mund të njihte pavarësinë e Kosovës, një nga kushtet kryesore për hapjen e negociatave për anëtarësimin në Bashkimin Europian.

Këto bisedime dy palëshe jo vetëm u ndërprenë, por cdo ide për një shkëmbim territoresh është kundërshtuar ashpër nga kancelarja gjermane Merkel, por edhe nga ish diplomat dhe ministra, të cilët kanë pasur një rol të rëndësishëm në dhënien fund të luftës në Ish Jugosllavi. Por përfaqësuesja e lartë për politikat e jashtme në Bashkimin Europian, Federika Mogerini, këshilltari amerikan për sigurinë kombëtare në administratën Tramp, Xhon Bolton, e mbështesin këtë ide.

Ndërkohë marrëdhëniet mes Beogradit dhe Prishtinës janë ashpërsuar. Në nëntor të 2018-ës, Kosova vendosi një tarifë prej 100 për qind ndaj produkteve serbe, pasi Beogradi ka penguar anëtarësimin e Kosovës në Interpol.

Gjatë samitit të Berlinit, Merkel e cila është e interesuar për Ballkanin Perëndimor që pas shpalljes në 2014-ën të procesit të Berlinit, për të inkurajuar bashkëpunimin rajonal dhe për një integrim më të madh, shpresonte në rifillimin e dialogut mes Serbisë dhe Kosovës. Një samit i radhës do të mbahet në muajin korrik. Këtë herë i organizuar në Paris nga presidenti Emanuel Makron.

Por qasja e Makron ndaj Ballkanit perëndimor është totalisht në contrast me atë të kancelares Merkel. Kjo e fundit nuk është mjaftueshëm naïve që të besojë se këto vende do të bëhen shumë shpejt pjesë e bashkimit europian. Institucionet shtetërore janë shumë të dobëta, korrupsioni është masiv dhe ekonomitë janë nën nivelin normal të zhvillimit. Pro ajo e di se në fund të rrugës, vendi i rajonit është në Bashkimin Europian.

Makron, gjithësesi nuk ka asnjë interes të përmendë fjalën europë. Pasi një zgjerim i mëtejshëmsipas tij do të dobësonte më shumë Bashkimin europian si dhe do të ushqente lëvizje populiste apo të ekstremit të djathtë. Bëhet fjalë për një opinion që mbështetet dhe nga vende të tjera mes të cilave dhe vendet e ulëta.

Por ajo që është më zhgënjyese në këtë përcarje është mungesa e strategjisë, dhe qëndrimi I Bashkimit Europian ndaj Maqedonisë së Veriut. Kundër cdo pritshmërie, kryeministri grek Aleksis Tsipras dhe kryeministri maqedonas Zoran Zaev arritën të zgjidhin një konflikt të gjatë për cështjen e emrit. Kur marrëveshka u arrit mes Athinës dhe Shkupit, për Zaev ishte një fitore e madhe. Greqia nuk do të bllokonte më ambiciet e Zaev për të anëtarësuar vendin e tij në Nato dhe Bashkim Europian.

Gjithësesi për të gjitha hapat kurajozë që lejuan përfundimin e konfliktit, bashkimi europian u tregua thuajse indifferent. Gjatë samitit të Berlinit, Zaev shpresonte se do të merrte një datë për nisjen e negociatave për anëtarësimin në Bashkimin Europian. Një përplasje dere në fytyrë për Shkupin dhe Athinën

Ndërkohë pjesa tjetër e rajonit shpreson që Merkel t’i ndryshojë mendjen presidentit francez Makron. Po për momentin, politika e BE-së ndaj Ballkanit perëndimor është e përçarë dhe miope.

Fatmirësisht këto vende mund të mbështeten ende tek NATO për të pasur më shumë siguri dhe qëndrueshmëri. Në korrik të vitit 2018, kjo e fundit ftoi Maqedoninë e Veriut për t’u bërë pjesë e aleancës Atlantike pasi më parë kishte pranuar Malin e Zi. Një lëvizje të cilën Rusia ishte përpjekur të shmangte. Pa aleancën nga ana tjetër, rajoni do të ishte një shtet dhe më i ndikueshëm nga ndërhyrja ruse.

Analistët mendojnë se “Dejton” është vendosur në një kënd të harruar. 23 vjet pas marrëveshjeve që i dhanë fund masakrave në Bosnje, fantazmat e përplasjeve etnike – fetare dhe shqetësimi për përplasje të reja po shfaqen sërish në Ballkan.

Nga Bosnja në Kosovë deri në Maqedoninë e Veriut, tre ish republika jugosllave, skenë në periudhën 1992 – 2002 të luftërave civile dhe ndërhyrjeve të huaja të entiteteve të ndryshme, urrejtje dhe rivalitete po kthehen në pikën e nxehtë. Por këtë herë ka një ndryshim thelbësor. Në qershor të vitit 1991, sekretari amerikan I shtetit Xhejms Bejkër “nuk kemi asnjë në atë luftë”, duke lënë të kuptohet indiferencën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës përballë përplasjes mes serbëve, kroatëve dhe myslimanëve.

27 vjet më vonë, Uashingtoni ka një qëndrim shumë më të qartë. Armiqtë për të bllokuar në strategjitë e departamentit amerikan të shtetit dhe Pentagonit, janë Rusia e Vladimir Putin dhe miqve të saj serbë, ndërsa aleatët për tu ruajtur dhe për t’u mbrojtur janë myslimanët në Bosnjë, minoritetet shqiptare në Maqedoninë e Veriut, dhe qeveria e Kosovës. Gjithë kjo me mbështetjen e mjegullt të euroburokratëve të Brukselit, të cilët deri tani nuk kanë qenë në gjendje të shprehin një vizion autonom dhe të pavarur dhe për çështje që i përkasin aseteve të kontinentit të vjetër. Por problem i vërtetë, si u pranua dhe në vitin 2015 nga Xhon Kerri, sekretari i atëhershëm amerikan i shtetit në administratën Obama, është se Ballkani sot është linja e kuqe në përplasjen mes NATO-s dhe Rusisë.

Më Kosovë, ajo që ka shkaktuar frikë dhe mos besim, ishte dhe deklarata më e fundit e Xhon Bolton, këshilltar për sigurinë kombëtare në Shtëpinë e Bardhë. Në fund të muajit gusht të një viti më parë ai u shpreh për idenë e shkëmbimit të territoreve me bazë etnike mes Serbisë dhe Kosovës. Projekti i Bolton do të garantonte rikthimin e zonave veriore me mazhorancë serbe nën kontrollin e Beogradit, ndërsa Lugina e Preshevës me mazhorancë shqiptare, por zyrtarisht serbe, do i kalonte Prishtinës. Rikthimi në konceptin e ndarjes etnike, pavarësisht zemërimit antirus të Bolton, premton të sjellë ujë në mullirin e serbëve të Bosnjës, thënë ndryshe miqve më të mirë të Moskës. Ata do të ishin shumë dakord me një ndarje të tillë për të krijuar një minifederatë serbe. Gjatë këtyre negociatave të Dejton pikërisht vullneti për të rikthyer bashkëjetesën mes komuniteteve të ndara nga lufta, solli vendimin për t’i dhënë jetë një vendi – Bosnje e Hercegovinë – të ndarë mes kroatëve, boshnjalëve dhe myslimanëve. Vend i drejtuar nga një presidencë me raunde.

Suksesi në zgjedhje në 8 tetorin e një viti më parë i Milorad Dodik, lider nacionalist i serbëve të Bosnjes, kërcënon të hedhë në erë mekanizmin e krijuar në Dejton 23 vjet më parë. I mbështetur nga rusët, të cilët me Putin janë mbrojtësit e mëdhenj të kombit serb, Miloran Dodik kërcënon t’i japë fund presidencës me raunde dhe të çojë serbët e Bosnjes drejt vetëvendosjes dhe pavarësisë.

Një hap që kërcënon të prishë të gjitha mekanizmat e paqes, duke shënuar një sukses të ri të Moskës në Ballkan. Vend i cili është linja e re në përplasjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Rusisë.

Lufta e ftohtë ka përfunduar, por NATO aktualisht mbetet e rëndësishme si ishte dhe në vitin 1949. Sfida të reja i shtohen të vjetrave, duke i dhënë jetë një përplasjeje gjeopolitike gjithnjë e më konkurues dhe i pasigurtë. Rusia në vend që të bashkëpunojë në përballjen me sfidat e reja, tregon një agresivitet që kërcënon qëndrueshmërinë dhe paqen e ndërtuar përgjatë 70 viteve. NATO këmbëngul për përmirësimin e marrëdhënieve me Moskën, dhe do të preferonte të kishte Kremlinin mes radhëve të miqve dhe jo  të armiqve. Por veprimet më të fundit të qeverisë në Kremlin, e bëjnë Rusinë kërcënimin kryesor për sovranitetin dhe pavarësinë e shteteve europiane si dhe vlerave që bashkojnë perëndimin.

Përvec kërcënimit rus, NATO përballet me një Kinë gjithnjë e më të vendosur për të përhapur në mënyrë aggressive influencën e saj ekonomike dhe politike në Europë. Sipas analistëve Pekini synon rishkrimin e rregullave dhe strandarteve ndërkombëtare. Ndër të tjera nuk duhet të injorohen sfidat e Iranit dhe Koresë së Veriut, vende që drejtohen nga liderë të paparashikueshëm dhe me ambicie bërthamore.

Por pse analistët e konsiderojnë Kosovën si një geto në zemër të Ballkanit.

Viti 2018 u përmbyll me një rezultat negative për sa i përket liberalizimit të vizave për shtetasit kosovarë. Pavarësisht premtimeve të liderëve vendorë dhe premtimeve të përfaqësuesve të Bashkimit europian, që linin shpresa për një zgjidhje deri në fund të vitit, mundësinë për kosovarët që të udhëtonin lirisht në zonën Shengen është shtyrë sërish në një datë ende të pacaktuar. Një situatë që ushqen zemërimin në popull, i cili ndihet gjithnjë e më shumë i detyruar të jetojë në një lloj getoje pa rrugëdalje.

Viti 2018, dukej viti i duhur. Falë miratimit nga ana e parlamentit të Prishtinës të demarkacionit me Malin e Zi në mars të 2018-ës, pas disa vitesh bllokade, dhe përpjekjeve në luftën kundër korrupsionit dhe kriminalitetit, në korrik komisioni europian deklaronte se Kosova kishte përmbushur të gjitha kriteret e duhura për të përfituar liberalizimin e vizave për në zonën Shengen. Një qëndrim i mbështetur dhe nga Parlamenti Europian, që në shtator votoi me një mazhorancë të gjerë në favor të liberalizimit. Por tashmë mungon hapi i fundit, miratimi nga ana e këshillit të Bashkimit Europian.

Pikërisht këshilli është ai që merr vendimin përfundimtar. Për miratimin e plotë duhet të votojnë pro 55 për qind të vendeve anëtare, përfaqësuesit e të paktën 65 për qind të qytetarëve të Bashkimit europian. Pavarësisht se nuk ka pasur deklarata zyrtare, dihet kundërshtimi i Francës dhe Holandës, vende të cilat nuk janë ende gati për t’i dhënë hyrjen e lirë qytetarëve të Kosovës në territorin e Bashkimit europian. Këtyre u shtohen dhe vendet të cilat ende nuk kanë njohur pavarësinë e Kosovës si Spanja, Greqia, Qipro, Rumania e Sllovakia. Shqetësimi më i madh i përket një valë emigrimi, pavarësisht se kërkesat për azil nga ana e kosovarëve të regjistruar në vitin 2015, vjen në rënie, nga 18 mijë në vitin 2017 kanë qenë 4500.

Pikërisht mungesa Brenda këshillit, e mazhorancës që duhet, ka çuar në shtyrjen e datës. Por reagimi më negativ në këtë panoramë ishte ai i komisionerit për zgjerim në Bashkimin Europian, Johanes Han. Ky i fundit gjatë vizitës në Prishtinë në dhjetor të një viti më parë, i ngacmuar nga gazetarët, la të kuptohet se data më e afërt apo më e mundur ishte viti 2020.

Dhe të mendosh se qytetarët kosovarë kishin marrë më shumë se një premtim nga ana e liderëve të tyre, se liberalizimi do të ndodhte Brenda vitit 2018. Edhe kryeministri Ramush Haradinaj dhe kryetari i parlamentit Kadri Veseli shpreheshin të bindur se do të merrnin dritën jeshile nga Brukseli Brenda vitit 2018. Një qëndrim i njëjtë dhe ai i ministres kosovare për integrimin europian Dhurata Hoxha dhe nga Presidenti i Republikës Hashim Thaçi. Por në fund ndodhi i njëjti skenar: çdo vit liderët politikë i premtojnë qytetarëve se zgjidhja është afër dhe këto premtime përsëriten sërish vitin e ardhshëm. Si pasojë, opozita në vend kërkon dorëheqjen e Haradinaj dhe Hoxhës, të cilët nuk kanë pranuar të heqin dorë nga postet e tyre.

Edhe përfaqësuesit e Bashkimit Europian, nga ana e tyre, kanë ushqyer në kokë shpresa të rreme. Pasi kanë përsëritur prej vitesh se me miratimin e demarkacionit me Malin e Zi, do të ndizej drita jeshile, faktet kanë përgënjështruar këtë perspektivë. Premtimet e vazhdueshme të komisionerit Hahn dhe të përfaqësueses së lartë për politikat e jashtme dhe sigurinë në Bashkimin Europian, Federica Mogherini, që nuk u ndoqën nga hapa konkrete, kanë shkaktuar zemërim në Kosovë. Jo rastësisht gjatë vizitës së tij  të fundit në Prishtinë Hahn u prit me një parullë ku i kërkohej në mënyrë ironike, që të hynte në Kosovë pasi të kishte marrë vizën. Në objektivin e kritikave ka përfunduar dhe Mogerini: në një postim të saj në Facebook dedikuar 70 vjetorit të deklaratës universale të të drejtave të njeriut, kanë vërshuar komentet nga shtetas kosovarë që e akuzonin, shpesh duke e ofenduar, se nuk respektonte të drejtat njerëzore të qytetarëve të Kosovës.

Këto reagime janë gjithnjë e më të shumta në Kosovë. Më shumë se për çështje të tjera; si për shembull përplasja me Serbinë dhe përpjekjet e qeverisë për anëtarësimin në organizatat ndërkombëtare, tema e liberalizimit të vizave është shumë e ndjeshme për pjesën më të madhe të popullsisë. Aktualisht shtetasit e Kosovës janë të detyruar të përjetojnë një proces shumë të gjatë dhe të kushtueshëm për të hyrë në vendet e Bashkimit Europian, qoftë dhe për pak ditë. Ambasadat e Prishtinës janë pothuajse përditë skena të radhëve të gjata. Dhe listat e pritjes për një takim të thjeshtë shkojnë deri në gjashtë muaj. Nëse merret në konsideratë se kosovarët që jetojnë jashtë vendit janë të shumtë në numër, mund të kuptohet shumë mirë zemërimi për shumë familjarë që duhet të përpiqen shumë për një vizitë të thjeshtë, që shpesh herë iu mohohet.

Zemërimi shtohet edhe më shumë nga fakti se Kosova është vendi i vetëm në Ballkan, që i nënshtrohet kësaj disipline, si dhe i vetmi në të gjithë Europën së bashku me Bjellorusinë, Rusinë dhe Turqinë. Në një kohë që të rinjtë shqiptarë, serbë apo të Maqedonisë së Veriut mund të udhëtojnë lirisht në Bashkimin Europian për një afat deri në 90 ditë, të rinjtë kosovarë nuk e kanë këtë shans. Një mbyllje ndaj botës që i rrethon dhe i penalizon rëndë në mundësinë e tyre për eksperienca të reja, njohjen e realiteteve të ndryshme dhe pasurimin e bagazhit të tyre kulturor.  Jo rastësisht pjesa më e madhe e tyre ka pasur mundësinë të vizitojë vetëm pak vende ku nuk duhet të marrësh vizë si Shqipërinë, Maqedoninë e Veriut, Malin e Zi dhe Turqinë.

Shtyrja e vazhdueshme në kohë e këtij vendimi, ndër të tjera nuk është një gabim vetëm se pse është diskriminues ndaj popullit kosovar. Rreziku i vërtetë është ai i rrëshqitjes së një vendi historikisht filoperëndimor në një pozicion euro – skeptik, duke ushqyer nacionalizmin dhe tundimin për t’u kthyer nga partnerë të tjerë politikë në skenarin ndërkombëtar. Duhet të jenë një thirrje për reflektim, vendimet e fundit të qeverisë, si vendosja e tarifës prej 100 për qind ndaj prodeukteve serbe dhe atyre të Bosnjë e Hercegovinës, dhe krijimi i ushtrisë, të cilat janë marrë në kontrast me atë që kërkonte Bashkimi Europian.

Pikërisht në një kohë që marrëdhënia me Serbinë tensionohet gjithnjë e më shumë, një sinjal për hapje në kuadër të vizave nuk do të korrigjonte vetëm një padrejtësi të madhe që po u bëhet kosovarëve, por do i jepte fund situatës së getos në të cilën ndodhet vendi. Por do shërbente dhe për të ulur tonet, duke shtyrë Prishtinën që të jetë më dialoguese me Brukselin. /ABC News Albania 24/7

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!