Prokuroria e Përgjithshme e Moldavisë i ka dërguar një kërkesë ekstradimi për politikanin dhe biznesmenin miliarder Vladimir Plahotniuk, për të cilin ekzistojnë urdhra kërkimi për tri krime të ndryshme. Para dy vitesh, pikërisht në periudhën kur Plahotniuku ishte pjesë e koalicionit në qeverinë e kohës, shtatë mësues turq u rrëmbyen dhe u nxorën nga Turqia me ndihmën e një njeriu, i cili konsiderohej së gjeri si krahu i djathtë i Plahotniukut.
Këto ditë shtypi moldav ka gëluar nga lajmet se Plahotniuku, i cili është në arrati për thuajse një vit e gjysmë, është në Turqi. Kryeprokurori i Moldavisë, Alexandr Stoianoglo, ka bërë me dije se në datën 29 shtator u ka dërguar autoriteteve turke një kërkesë zyrtare për ekstradimin e këtij njeriu, i cili është në kërkim si i dyshuar dhe i akuzuar për tri krime të ndryshme.
Sipas jehonës në shtypin vendës, autoritetet turke u kanë bërë me dije atyre homologe moldave se që prej datës dhjetë shtator oligarku i njohur është duke qëndruar në një hotel luksoz në Antalja.
DODON: TË GJITHË, HERËT A VONË, DO TË JAPIN LLOGARI NJË DITË
Këtë kërkesë për ekstradim e ka mbështetur edhe Presidenti i Moldavisë, Igor Dodon, i cili gjatë një interviste në një prej programeve televizive vendore është shprehur duke dhënë mesazhin se të gjithë, herët a vonë, do të japin llogari një ditë për të gjitha krimet që kanë bërë. Ai madje iu drejtua edhe drejtpërsëdrejti Plahotniukut me fjalët: “Nga drejtësia nuk mund t’ia mbathësh dot për shumë gjatë. As Amerika nuk të fsheh dot. Ne e denim që Plahotniuku, në 7 shtator ka ardhur në Rumani dhe është larguar së andejmi pas tri ditësh. I dimë shumë mirë edhe politikanët që kanë shkuar për ta vizituar në Stamboll. Të gjitha janë në rekordet e prokurorisë.”
PLAHOTNIUKU KËRKOHET NGA TRI DOSJE TË NDRYSHME
Për një periudhë të caktuar Vladimir Plahotniuku ka qenë lideri i një prej partive politike në vend dhe vetëm një ditë pasi u tërhoq nga qeveria e koalicionit, në të cilën bënte pjesë, në datën 15 qershor 2019, u largua nga Moldavia, në fshehtësi. Gjurmët e Plahotniukut shkuan deri në Miami, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në një kohë kur, për javë me radhë, diskutohej se ku mund të ishte ai. Mandej u mësua se ai ishte larguar së andejmi në fund të muajit gusht, duke kaluar në Turqi nëpërmjet Rumanisë.
Tri janë veprat penale për të cilat është në kërkim Plahotniuku, “krijim dhe organizim i organizatës kriminale”, “mashtrim” dhe “pastrim i parave të pista”.
MËSUESIT TURQ U RRËMBYEN NË KOHËN E QEVERISJES SË TIJ
Rrëmbimi i shtatë mësuesve turq të shkollave “Orizont” në Moldavi nga shtëpitë pati ndodhur në datën 6 shtator 2018, kur në krye të qeverisë ishte edhe partia e Plahotniukut. Lideri i opozitës së asokohshme, Maia Sandu dhe anëtari i Komisionit Parlamentar për Sigurinë Kombëtare, Chiril Motpan, deklaruan përgjegjës për rrëmbimin e arsimtarëve turq pikërisht Plahotniukun. Sipas lajmeve që u botuan në shtypin e asaj kohe, në dosjen e hapur thuhej se i akuzuari i vetëm për rrëmbimin e mësuesve turq ishte Shefi i institucionit të inteligjencës moldave, Vasile Botnari, i cili njihet si krahu i djathtë i Plahotniukut. Dhe, si përfundim, e gjithë dosja, ndjekja e së cilës u bë “në fshehtësi të plotë”, u mbyll me një masë administrative në shumën e 4.500 eurove kundër Botnarit.
Poende, sipas lajmeve që kanë dalë në shtypin moldav, për oligarkun e njohur dyshohet se ai është ortak në të gjithë tenderat në vend që u janë dhënë firmave më të njohura turke. Madje edhe Presidenti i Turqisë, Erdogan, në vizitën e zhvilluar prej tij në Kishnjiev, dyzet ditë pas ngjarjes së rrëmbimit të shtatë mësuesve turq, pati zhvilluar edhe një takim kokë më kokë me vetë Plahotniukun.