“Ndeshu me Joshua ose Wilder”, ofertë faraonike nga Arabia për Tyson Fury

schedule09:11 - 26 Shkurt, 2020

schedule 09:11 - 26 Shkurt, 2020

Kampioni i botës në kategorinë e peshave të rënda, Tyson Fury, ka marrë një ofertë prej 480 milion eurosh për t’u ndeshur sërish me Wilder ose bashkëkombësin e tij, Anthony Joshua

Tyson Fury uli nga froni Deontay Wilder, i cili rezultonte i pamposhtur deri para duelit për gjerdanin e artë në kategorinë e peshave të rënda WBC. Boksieri britanik fitoi me nokaut në mbrëmjen e magjishme në Las Vegas, ndërsa tashmë ka marrë një mega ofertë për t’u përballur serish me Wilder.

Për boksierin britanik janë ofruar plot 480 milion euro për sfidën e revanshit me boksierin amerikan Wilder ose bashkëkombësin e tij, Anthony Joshua. Mësohet se katër anëtarë të familjes mbretërore saudite, përfshirë edhe princin Khaled, ishin të pranishëm në “Grand Arena” të Las Vegasit për të shijuar ‘live’ emocionet për gjerdanin e artë.

Ata kanë shprehur gatishmërinë për të paguar shumën marramendëse që Fury të ndeshet sërish për titullin kampion bote, në Arabinë Saudite. Khaled, i deleguar nga Princi i Kurorës Mohamed bin Salman, është përgjegjës për organizimin e ngjarjeve kryesore sportive në Arabinë Saudite, që shërbejnë si vitrinë për zhvillimin e turizmit ndërkombëtar në vendin aziatik.

Princi Khaled mësohet se ka biseduar  me promovuesin e Joshua, Eddie Hearn, me të cilin organizoi përballjen kundër Andy Ruiz Jr., që u zhvillua në Riad në datën 7 dhjetor. Palët janë optimistë për një duel të mundshëm ndërmjet Tyson Fury dhe Anthony Joshua, që do të unifikonte titujt kampion bote në divizionin e peshave të rënda. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!