Trajneri i kombëtares shqiptare, Silvinjo, ka nisur punën më konkretisht për të përgatitur formacionin me të cilin kuqezinjtë do të përballen me Moldavinë në ndeshjen e parë kualifikuese të Euro 2024 për muajin qershor.
Skuadra sot ka zhvilluar një ndeshje kontrolli brenda grupit në stadiumin “Elbasan Arena”, ku Silvinjo ka vënë lojtarët përballë njëri-tjetrit, për të ideuar rreshtimin titullar që do të zbresë në fushë ndaj moldavëve pas 7 ditësh.
Sigurisht ka qenë një ndeshje me minutazh më të reduktuar, por që ka shërbyer për të parë formën fizike që kanë sidomos ata që janë piketuar si titullarë, meqë trajneri e ka shprehur shpesh se i ka idetë pak a shumë të qarta rreth emrave që përzgjedh për një ndeshje.
Për të plotësuar grupin dhe për të mos mbingarkuar lojtarët, Silvinjo i ka bashkuar skuadrës edhe disa lojtarë nga Kombëtarja U19, duke shfrytëzuar njohuritë e Ervin Bulkut i cili është trajner i kësaj përfaqësueseje të moshave dhe njëkohësisht asistent i brazilianit te ekipi A. Ndeshja është zhvilluar me dyer të mbyllura, pasi Silvinjo ka dashur që të ruajë sadopak sekretin mbi formacionin që po ideon për ndeshjen ndaj moldavëve./ h.ll/abcnews.al