Të paktën 60 persona kanë mbetur të plagosur të dielën në Indi gjatë festivalit vjetor të Pongal në shtetin jugor të Tamil Nadu. Dhjetëra pjesëmarrës në konkursin Jallikattu, të quajtur “lufta indiane me dema”, u shtruan në spitalet në qytetin Madurai.
20 prej të plagosurve janë në gjendje të rëndë por fatmirësisht nuk u raportua asnjë viktimë.
Gara do të vazhdojë në qytetet e Tamil Nadu për dy ditë të tjera.
“Lufta indiane e demave” famëkeqe Jallikattu është një garë spektakolare për “zbutjen” e demave. Historia e kësaj tradite është të paktën dy mijëvjeçarë. Ndryshe nga ndeshjet e demave spanjolle, Jallikattu nuk është një luftë midis një burri dhe një demi, por zbutëse, që të kujton disi rodeon amerikane.
Pjesëmarrësi duhet të kapë brirët e demit me të dy duart dhe t’i mbajë ato për një kohë të caktuar. Demat e destinuar për konkursin Jallikattu ushqehen me një dietë të veçantë për t’i bërë më të mëdhenj dhe më të fortë.
/abcnews.al