Që prej nisjes së ndërtimit të dy HEC-eve banorët e fshatit Pishkash të Prrenjasit kanë mbetur pa ujë të pijshëm. Punimet për HEC-ve kanë filluar në mars të këtij viti kur banorët ishin izoluar për shkak të pandemisë.
Një pjesë e tyre kanë shkuar të bisedojnë me përfaqësuesit e firmës që po bën punimet, por ju është dhënë kjo përgjigje.
“Vijmë tek firma tani na thonë do sjellin botat me ujë. Kam mbjellë 4 dylym po thahen tani. Kam shpenzuar 5 milionë lekë. Të gjithë shokët kanë mbjellë”, shprehet një banor.
Të njëjtin shqetësim shprehin edhe banorë të tjerë:
“Me çfarë do vaditim ne, s’kemi as për të pirë. Patatet janë thanë për ujë tani. Të na i sjellin ujin siç e kishim më parë”. “Në lagjen time bëhen 30 familje, 80 familje janë në anën tjetër. Dhe lagjia Kakaveci me 180 familje, po me këtë kanal furnizohemi”.
Ka banorë që nuk kanë shpresa se problemi do të zgjidhet pasi afatet kanë përfunduar 4 ditë më parë.
“Jemi ngritur ne po kush na dëgjon”, shprehet ajo.
Banorët e Pishkashit tentuan të mbanin një ditë më parë dhe një protestë. Por policia kërkoi që të shpërndaheshin pasi grumbullimet nuk lejohen në kohë pandemie.
“Shkuam për të biseduar dhe na sjellin policë 20 policë s’ishte nevoja të vinin”, rrëfen banori. /abcnews.al