Ndërron jetë ish-sekretari i përgjithshëm i OKB Kofi Annan

schedule11:54 - 18 Gusht, 2018

schedule 11:54 - 18 Gusht, 2018

Është ndarë nga jeta në moshën 80-vjeçare Kofi Anan, sekretari i parë me ngjyrë i Organizatës së Kombeve të Bashkuara. Anan do të mbahet mend për vendosmërinë dhe maturinë e tij në periudhën 1997-2006, e kapluar nga një seri luftërash.

Kofi Annan, ish-sekretar i përgjithshëm i OKB-së dhe fitues i çmimit Nobel për Paqen për punën e tij humanitare, ka ndërruar jetë të shtunën në moshën 80-vjeçare. Lajmin e ka bërë të ditur fondacioni që mban emrin e tij përmes një komunikate për shtyp, ku thuhet se Anan u shua qetësisht pas një sëmundjeje të shkurtër. Anan ishte afrikani i parë që mori rolin e diplomatit numër 1 në botë, duke qeverisur Organizatën e Kombeve të Bashkuara nga viti 1997 në 2006.

Më vonë ai shërbeu si i dërguari i posaçëm i saj në Siri, duke u dalluar për përpjekjet për arritjen e një zgjidhjeje paqësore të konfliktit. Në njoftimin për shtyp ku konfirmohet ndarja nga jeta, Annan përshkruhet si një burr shteti global, i përkushtuar për çështjet ndërkombëtare dhe që luftoi gjatë gjithë jetës për një botë më të drejtë e më të paqtë. “Kudo që kishte vuajtje, ai shkoi dhe preku njerëzit me mëshirimin dhe ndjeshmërinë e tij të thellë. Ai vuri gjithmonë të tjerët para vetes, duke rrezatuar mirësjellje, ngrohtësi dhe aftësi në gjithçka që bëri”, thuhet në njoftim. Qëndrimi i Anan në OKB përkoi edhe me luftën në Irak dhe epideminë e virusit HIV/Aids./abcnews.al
.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!