Ndërron jetë ish-Presidenti i Francës

schedule12:14 - 26 Shtator, 2019

schedule 12:14 - 26 Shtator, 2019

Është ndarë nga jeta Jacques Chirac, ish-presidenti i Francës. Lajmi u konfirmua për mediat nga burime familjare. “Ish presidenti u nda nga jeta mëngjesin e të enjtes i rrethuar nga familjarët e tij”, u shpreh dhëndëri I tij. Presidenti i Francës në periudhën 1995 – 2007, ish-kryetar i bashkisë së Parisit, kryeministër dhe president i Këshillit Europian, Chirac ishte 86 vjec.

Ai u tërhoq para disa vitesh nga skena politike dhe jeta publike. Jetonte me bashkëshorten e tij Bernadet në shtëpinë e tij në Paris. Në vitin 2005 u godit nga një iktus dhe para se të largohej nga Elize u shtrua disa herë në spital. Kohët e fundit ai ishte shfaqur shumë rrallë në publik.

Themelues i dy partive kryesore të qendrës së djathtë franceze, Rigrupimit për Republikën dhe Unionit për një Lëvizje Popullore, Chirac ishte kryeministër në periudhën 1974 – 1976, dhe 1986 – 1988. Ndërsa kryebashkiak i Parisit, ai ishte në periudhën 1977 – 1995.

Në vitin 1995, ai u zgjodh presidenti i 22 i Republikës franceze. Në Marsin e vitit 2007, me anë të një mesazhi, Chirac deklaroi se nuk kishte ndërmend të kandidonte për një mandat të tretë presidencial duke bërë publike mbështetjen e tij për Nicola Sarkozy.

/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!