Ndërron jetë Gate Mahmutaj, u kap si “koka” e grupit të Lazaratit

schedule11:54 - 20 Tetor, 2021

schedule 11:54 - 20 Tetor, 2021

Ka ndërruar jetë në shtëpinë e tij në Lazarat, Razip (Gate) Mahmutaj. Ai ndodhej prej disa vitesh në burg pas dorëzimit në polici pas operacionit kundër kultivimit të kanabisit në Lazarat.

Gate Mahmutaj ishte dënuar me 18 vite burgim për akuzat e mbajtjes pa leje të armëve luftarake dhe municionit, prodhim e shitje të lëndëve narkotike dhe kultivim të bimëve narkotike.

Teksa vuante dënimin ai u kap nga një sëmundje e rëndë dhe vetëm një javë më parë ishte nxjerrë nga qelia duke u dërguar pranë familjes për të kaluar ditët e fundit.

Mahmutaj u akuzua nga prokuroria se ishte kreu i grupit të Lazaratit, i cili organizonte kultivimin e kanabisit si edhe rezistencën ndaj Forcave Speciale RENEA.

Gate Mahumtaj pas dorezimit ne polici ne qeshor te vitit 2014

Operacioni

Policia organizoi në qershor të vitit 2014 një operacion të madh kundër kultivimit të lëndëve narkotike në Lazarat të Gjirokastrës. Gjatë atij operacioni u vra edhe efektivi i RENEA-s Ibrahim Basha teksa po ngjitej në njërën prej lagjeve të fshatit bashkë me kolegët e tjerë. Furgoni i RENEA-s u qëllua me mitraloz nga kodra.

Razip Mahmutaj ndodhej në një nga lokalet në qendër të fshatit Lazarat. Në bazë të planit të hartuar është kryer ndërhyrja në katin e dytë të lokalit të shtetasit Drini Aliko. Në momentin që forcat e policisë hynë në lokal, duke bërë thirrje ”Kontroll, policia”, personat që ndodheshin aty kanë reaguar duke qëlluar me armë zjarri.

Brenda pak çastesh edhe persona të tjerë nga jashtë lokalit filluan të qëllojnë në drejtim të policisë. Në këto kushte, duke vlerësuar situatën mjaft kritike të krijuar forcat “RENEA” janë detyruar t’u përgjigjen me armë sulmeve ndaj tyre, veçanërisht sulmeve të personave që ndodheshin në lokal.

Personat e tjerë të ndodhur në lokal, të cilët nuk kanë qenë objekt i ndërhyrjes së forcave “RENEA”, kanë mundur të largohen nga lokali të ndihmuar dhe nga disa persona të tjerë të fshatit, të cilët kanë qëlluar në drejtim të forcave të policisë, menjëherë sapo ata kanë nisur ndërhyrjen.

Personat, të cilët kanë qenë në lokal dhe që kanë qëlluar në drejtim të policisë, janë identifikuar si shtetasit: Razip Mahmuti, Drini Aliko, Ali Rabi, Abaz Rabi, Altin Bejko, Kastriot Basha, Lorenc Basha, Sabri Shurdhi si dhe disa persona të tjerë, të cilët nuk janë arritur të identifikohen. Nga shkëmbimi i zjarrit gjatë largimit të këtyre personave, ka mbetur i plagosur shtetasi Altin Bejko.

Pas këtij episodi dhe negociatave, Mahmutaj u dorëzua në polici duke u shoqëruar menjëherë në Tiranë nga forcat speciale. /abcnews.al