Ndërrimi i viteve jashtë vendit, shqiptarët zgjedhin oferta ekonomike 

schedule16:33 - 26 Dhjetor, 2018

schedule 16:33 - 26 Dhjetor, 2018

Të shumtë janë ata që kanë zgjedhur ta presin ndërrimin e viteve jashtë Shqipërisë. Sipas përfaqësuesve të agjencive turistike numri është thuajse në të njëjtat nivele me vitin e shkuar, ndërsa ofertat që kanë zgjedhur janë më ekonomike.

Shqiptarët zgjedhin t’i kalojnë festat jashtë shtetit më shumë se qytetarët e vendeve të rajonit tonë. Këtë mendim ndajnë përfaqësuesit e agjencive turistike të cilët tregojnë se numri i atyre që do ta presin 2019 jashtë kufijve është thuajse në të njëjtat nivele me vitin e shkuar. Ndonëse kanë zgjedhur oferta më ekonomike.

“Një rritje shumë e lehtë në krahasim me vitin e kaluar. Në krahasim me vendet e rajonit turistët shqiptarë shfrytëzojnë më shumë hotelet e rajonit për festat e fundivit se ata drejt Shqipërisë apo rajonit të tyre. Vajtjet me autobus janë në numër më të madh. Ka rezervime në Mavrovë, Kolashin e Kosovë”.

Zgjedhja për vendet Europiane kryesisht është orientuar drejt fluturimeve me kosto të ulët.

“Duke shfrytëzuar mundësitë me kompanitë low cost ka organizime me grupe në Pragë, Vjenë, Amsterdam dhe Paris”.

Çmimet e paketave sipas përfaqësuesve të agjencive turistike nuk kanë ndryshuar.

“Fillojnë me 49 euro për një natë duke përfshirë darkën e Vitit të ri dhe fjetjen për një natë në Strugë dhe vijojnë deri në Dubai që ka qenë paketa më e shtrenjtë 1100 euro”.

Megjithatë më të shumtë janë qytetarët që do ta presin ndërrimin e viteve në Shqipëri një pjesë e mirë e të cilëve në shtëpi. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!