Shoqata Atdhetare Kulturore Mallakastra zhvilloi sot, në Akademinë e Shkencave në Tiranë, një veprimtari përkujtimore dhe nderuese për katër personalitete të shquara të kësaj krahine.
Me titullin “Nderi i Krahinës së Mallakastrës” u vlerësuan akademiku dhe profesori Vasfi Samimi Visoka, si dhe gazetari, profesori dhe ish-drejtori i parë i seksionit shqip të “Zërit të Amerikës”, Nelo Drizari.
Ndërsa titulli “Krenaria e Krahinës së Mallakastrës” iu dha piktorit të njohur Bashkim Alushi dhe këngëtarit e krijuesit të polifonisë Piro Latifaj, me origjinë nga Hekali.
Gjatë ceremonisë u vlerësuan kontributet e tyre në shkencë, gazetari, art dhe kulturën popullore shqiptare.
Në aktivitet morën pjesë personalitete të politikës, akademisë dhe artit, përfaqësues të shoqatave atdhetare, si dhe familjarë të të nderuarve.
Veprimtaria u shoqërua me këngë polifonike dhe u përmbyll me një drekë me prodhime tradicionale të Mallakastrës./abcnews.al

