Shtetet e Bashkuara të Amerikës, bashkë me ndërmjetësit arabë, po bëjnë përpjekje të mërkurën për të përmbyllur një marrëveshje ndërmjet Izraelit dhe Hamasit – i shpallur organizatë terroriste nga Uashingtoni dhe Bashkimi Evropian – për të ndërprerë luftën 14-muajshe në Rripin e Gazës, ku mjekët kanë thënë se sulmet izraelite vranë të paktën 16 palestinezë gjatë natës.
Të martën, burime të afërta me bisedimet në Kajro, kryeqytet i Egjiptit, thanë se një marrëveshje mund të nënshkruhet gjatë ditëve të ardhshme për një armëpushim dhe për lirimin e pengjeve të mbajtura në Gazë, në këmbim me të burgosur palestinezë që mbahen nga Izraeli, raporton Reuters.
Mjekët thanë se një sulm ajror izraelit vrau të paktën 10 persona në një shtëpi në qytezën veriore Beit Lahija, ku forcat ushtarake operojnë që nga tetori, përderisa gjashtë persona u vranë nga sulme të tjera ajrore në Qytetin e Gazës, në kampin Nuseirat në zonat qendrore, dhe në Rafah, pranë kufirit me Egjiptin.
Ushtria izraelite nuk ka komentuar asgjë për sulmet.