“Ndërkombëtarët të bëjnë presion ndaj Izraelit”/ Erdogan: Gjenocidet në Gaza dhe Liban duhet të ndalen

schedule16:25 - 19 Tetor, 2024

schedule 16:25 - 19 Tetor, 2024

Në një konferencë shtypi me kancelarin gjerman Olaf Scholz, presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan i ka bërë thirrje komunitetit ndërkombëtar të bëjë presion ndaj Izraelit për t’i dhënë fund atyre që ai i quajti “gjenocidet” izraelite në Gaza dhe Liban.

Duke folur në Stamboll, Erdogan tha se të dy liderët diskutuan “luftën gjenocidale të zhvilluar nga Izraeli kundër Gazës dhe të gjitha sulmet kundër Libanit. Situata tragjike humanitare në të cilën po jeton rajoni ishte gjithashtu një nga temat.”

Turqia ka kërkuar një armëpushim të menjëhershëm dhe hyrjen e ndihmave humanitare në Rripin e Gazës.

“Ne, si komunitet ndërkombëtar, duhet të ushtrojmë presion mbi Izraelin, në mënyrë që të gjitha gjenocidet në Gaza dhe Liban të ndalojnë. Për sa kohë që këto gjenocide vazhdojnë, rajoni ynë nuk mund të arrijë paqen dhe stabilitetin”, tha Erdogan.

“Mbi 50,000 njerëz janë vrarë. Të gjithë ata që kanë ndërgjegje duhet të marrin përgjegjësinë për t’i dhënë fund kësaj qasjeje izraelite dhe ne do të vazhdojmë të punojmë në këtë rrugë.”, shtoi ai./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!