Ndërhyrja ruse, rëndohet dënimi për ish-shefin e fushatës së Trump

schedule22:54 - 13 Mars, 2019

schedule 22:54 - 13 Mars, 2019

Ish-shefit të fushatës elektorale të presidentit Donald Trump i është rënduar dënimi në lidhje me ndërhyrjen e përfolur ruse në zgjedhje. Pas një dënimi të parë të marrë javën e kaluar, Pol Manafort do të përballet edhe me 43 muaj të tjerë.

Ish-shefit të fushatës së presidentit Trump, Pol Manafort i janë dhënë edhe 43 muaj burgim, për akuza që rrjedhin nga hetimi mbi ndërhyrjen ruse. Rëndimi i dënimit vjen një javë pasi 69-vjeçari u dënua me 47 muaj burg në kuadër të një çështjeje tjetër. Dënimi i fundit rrjedh nga dy akuza për komplot, për të cilat Manafort u vetëdeklarua fajtor vitin e kaluar. ai i tha gjykatës federale në Uashington se donte të kërkonte ndjesë për veprimet e tij. “Më vjen keq për gjithçka që kam bërë dhe për të gjitha veprimet për të cilat ndodhemi këtu sot”, deklaroi Manafort. Lidhur me akuzën e fundit, gjyqtarja e çështjes, Emi Berman Xhekson e dënoi Manafort në total me 73 muaj burg, 30 prej të cilëve duhet të shlyhen paralelisht me dënimin për akuzën e parë e që rrjedhimisht i bie 43 muaj burg shtesë. Të dyja rastet rrjedhin nga hetimi mbi ndërhyrjen e përfolur ruse në zgjedhjet e vitit 2016. Sidoqoftë, asnjë nga akuzat që rëndojnë mbi Manafort nuk lidhen me dyshimet për mpleksjen e Trump me Rusinë. Vetë presidenti gjithmonë i ka mohuar akuzat, duke e cilësuar hetimin e koduar “Russiagate” një gjueti shtrigash. Burgimi i Manafort është më i gjati i dhënë që kur hetimet mbi këtë çështje filluan pak pasi Trump mori detyrën. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!