Mesfushori i Real Madrid, Federico Valverde, është dënuar me një ndeshje pezullim për atë faull që shkaktoi ndaj Alvaro Moratës në finalen e Superkupës së Spanjës. Uruguaiani e shkaktoi qëllimisht faullin, pasi sulmuesi i Atleticos ishte shumë pranë zonës së Courtois.
Gjyqtari i takimit i tregoi menjëherë kartonin e kuq 21-vjeçarit, pasi ai i hoqi një mundësi të pastër shënimi Moratës. Ndeshja mbaroi në barazimin pa gola 0-0, por më pas Reali triumfoi me anë të penalltive 4-1. Trajneri i Atleticos, Diego Simeone, pas ndeshjes e quajti faullin e Valverdes si një sakrificë si dhe momentin më të rëndësishëm të takimit.
Në një njoftim nga Federata Spanjolle e Futbollit, deklarohet se Valverde është dënuar me një ndeshje pezullim. Kjo do të thotë se mesfushori galaktik do të humbasë ndeshjen kundër Sevillas të vendit të tretë, që do të zhvillohet në ‘Bernabeu’. Lojtari ka qenë një nga pikat më të forta të Realit këtë sezon dhe mungesa e tij është një shqetësim për trajnerin Zidane. /abcnews.al