Ishte ndër më të mirët e brezit të tij. “Legjenda” ukrainase, Andriy Shevchenko ndoshta nuk është më i pranishëm në fushën e blertë, por zor se ndahet nga futbolli, me ish-“bomberin” e Dynamo Kiev, Milan e Chelsea, që mëngjesin e kësaj të enjteje ka marrë një nga vlerësimet më të rëndësishme në karrierën e tij, teksa fitoi zgjedhjet për postin e Presidentit të Federatës së Futbollit të Ukrainës.
Ish-fituesi i “Topit të Artë 2004”, tashmë 47-vjeçar u zgjodh në postin më të lartë të institucionit të futbollit në vend pas një procesi ku Shevchenko ishte i vetmi kandidat në garë, teksa më parë ky pozicion është mbajtur nga Andriy Pavlevko, por ky i fundit u largua për dyshime e ngritura për afera korruptive.
Ndërkaq, më herët në karrierën e tij, Shevchenko ka mbajtur postin e trajnerit të përfaqësueses të Ukrainës për 5 vite, ku arriti deri në çerekfinalet e kampionatit europian Euro 2020, ndërsa si lojtar, “Sheva i madh”, konsiderohet një ndër “bomberët” më të mirë të historisë, me kulmin e tij, që e pati në sezonin 2002-2003, ku fitoi Kupën e Italisë dhe trofeun e UEFA Champions League, në finalen ndaj Juventus, duke arritur kështu edhe te trofeu më prestigjioz individual, “Ballon D’Or”. /i.m /abcnews.al