Ndarje e Ukrainës midis Moskës dhe Perëndimit, skenari më i mundshëm që do të garantonte paqen

schedule19:47 - 19 Nëntor, 2022

schedule 19:47 - 19 Nëntor, 2022

Nga Andrea Muratore & Emanuel Pietrobon “Il Giornale

Tërheqja e ushtrisë ruse në lindje të lumit Dnipro, mund të mbahet mend si momenti kulmor dhe një pikë kthese në luftën në Ukrainë. Por edhe si momenti që përputhet me fillimin zyrtar të negociatave për konformimin e ardhshëm gjeografik të territoreve ukrainase, pas muajsh reflektimesh, mesazhesh të tërthorta dhe reflektimesh.

Mos-reagimi i Shteteve të Bashkuara ndaj incidentit në Przewodów në Poloni, i parë nga krahu i linjës së ashpër të aleancës si një mundësi për të rritur më tej nivelin e përplasjes me Rusinë, sugjeron se mbështetësit kryesorë të Ukrainës besojnë se ka ardhur koha për të menduar seriozisht për armëpushimin e ardhshëm.

Me shumë gjasa, gjeografia do të jetë pika e fillimit të tryezës së negociatave. Dhe gjeografia këshillon që Dnipro të bëhet muri natyror ndarës i dy Ukrainave, njëra perëndimore dhe tjetra ruse. Një kristalizim ky i bashkërenduar i ndryshimeve territoriale që ndodhën në verë dhe në vjeshtë në emër të real-politikës.

Por nuk do të jetë e lehtë bindja e ukrainasve dhe rusëve për të pranuar një fitore të gjymtuar. Pasi ajo mund të jetë një burim ankesash, e cila që mund të ushqejë një luftë të re në të ardhmen. Pra SHBA-ja është gati, po të tjerët?

“Dëbimi i rusëve nga Ukraina, duke përfshirë Krimenë, nuk ka shumë gjasa të ndodhë, ndërsa një tërheqje e rusëve është e besueshme mbi bazën e një zgjidhje politike, e cila duhet negociuar kur gjithçka te jetë në rregull, pra në pozitën më të mirë të Ukrainës dhe në pozitën më të dobët të Rusisë”- kështu deklaroi më 16 nëntor gjenerali Mark Milley, shefi i shtabit të Ushtrisë së Shteteve të Bashkuara.

Një javë më parë ishte po Millej, ai që i ftoi rusët dhe ukrainasit “të shfrytëzonin mundësinë për të negociuar”. Administrata Biden nuk po e braktis Ukrainën, një territor që logjikat e mëdha gjeostrategjike e bëjnë të domosdoshëm.

Por ajo po i tregon Kievit rrugën që duhet të ndjekë për të maksimizuar fitimin, që mund të arrihet nga momenti shumë i vështirë në të cilën gjendet aktualisht Rusia. Dhe kjo rrugë vështirë se do të përfshijë një “paqe kartagjenase”, ose ashtu si në Versajë, qoftë për arsye se Shtetet e Bashkuara i kanë arritur tashmë objektivat e paracaktuara – nga rigrupimi i NATO-s tek dobësimi i Rusisë – por edhe sepse përpjekjet për t’u kthyer në statuskuonë para luftës, mund t’i hapin rrugën skenarëve të tillë.

Pra tavolina e bisedimeve është gati. Ajo pret vetëm që palët të zënë vendet e tyre. Me deklaratën e tij Milley ftoi rusët dhe ukrainasit të ulen në tryezë. Këtë e kuptoi edhe Mykhailo Podolyak, këshilltari i Volodymyr Zelenskit, që të premten foli për mundësinë që konflikti të ndalet edhe pa tërheqjen e rusëve nga territoret e pushtuara.

Me pushtimin e Ukrainës, Vladimir Putin e ka dëmtuar shumë strategjisë tradicionale ruse, ka prishur modelet e konvergjencës gjeo-ekonomike, dhe ka ngritur dallgën e kaosit mbi Evropë. Është thënë shpesh se tani më shumë se kurrë më parë, Kontinenti i Vjetër duhet të promovojë një nismë të madhe paqeje që ecën paralelisht me marrjen e përgjegjësive. Siç e ka shpallur edhe Papa Françesku prej disa kohësh.

Rruga për të dalë nga kriza e Ukrainës, është një kongres ndërkombëtar i modeluar sipas modelit të Vjenës në vitin 1815 , por i hapur ndaj leksioneve të përjetshme të Konferencës së Berlinit të 1878 dhe Konferencës së Versajës të vitit 1919, që shmang kombinimet e fitoreve totale dhe luftërave idealiste, dhe që përshkohet kryesisht nga real-politika.

Në 1815 në Vjenë, fuqitë evropiane e riformatuan rendin evropian sipas një skeme që në fakt do të zgjaste për 99 vjet, dhe që me pak përjashtime garantoi një sistem kontrollesh dhe balancash, që i dha mundësi Kontinentit të Vjetër të zgjidhte pa shumë probleme krizat e sigurisë.

Pikënisja:mos-poshtërimi i Francës. Synimi:ruajtja e stabilitetit kontinental. Në Berlin në vitin 1878, kancelari gjerman Otto von Bismarck mblodhi konferencën e madhe për ndarjen e Afrikës, e cila sot duhet t’u kujtojë evropianëve se si përkufizimi i sigurisë në Kontinentin e Vjetër, nuk mund të ndahet nga përkufizimi i një axhende sa më të harmonizuar ndaj hapësirave të jashtme të BE-së, NATO-s dhe Perëndimit.

Dje diskutohej mbi ndarjen e zonave të ndikimit, ndërsa sot për menaxhimin e pasojave globale të garës që po ndodh jashtë Evropës midis perandorive të djeshme për zgjerimin e bashkëpunimit në Mesdhe, Afrikë dhe Lindjen e Mesme si zona për një veprim evropian më koheziv.

Ndërkohë është gjithashtu e nevojshme të kujtojmë mësimin kryesor të Versajës: nisja e një negociate me qëllim ndëshkues, që mund të jetë imponimi i një fitoreje totale ndaj një aktori të mposhtur, por të fuqishëm, është mënyra më e mirë për ta prishur atë.

Diplomacia është arti i kënaqjes së të gjithëve, përfshirë edhe humbësit. Alternativa e paqes mbi të cilën bihet dakord reciprokisht është “armëpushimi 20-vjeçar”. Rusia dhe Ukraina kanë për detyrë të kuptojnë kohën dhe mënyrat e fillimit dhe të negociatave të qëndrueshme për t’i dhënë fund konfliktit, me vetëdijen se është e pamundur fitorja përfundimtare e njërës apo tjetrës palë.

Presidencës Biden i takon të hapë rrugën për ta, duke u kujtuar ukrainasve kundër-produktivitetin e një tryeze të frymëzuar nga Versaja, dhe rusëve shembullin e harruar të Traktatit të Parisit të vitit 1973, një shembull i gjallë i një paqeje të dhënë nga një vend i mposhtur, edhe pse i pajisur më armë bërthamore – Shtetet e Bashkuara – shtetit që kishte arritur një “fitore si të Pirros”, Vietnamit të Veriut.

Sa për të cituar Papën:Moska duhet të njohë nevojën për t’i dhënë fund agresionit, dhe Kievi atë të një zgjidhjeje politike. Më pas do të krijohet hapësira për një kongres paqeje gjithëpërfshirës, ​​i cili për të pasur sukses do të duhet të drejtohet nga Evropa.

Një kongresi, ku siç u shpreh nga ish-kryeministri italian Giuseppe Conte mund (ose duhet?) “të promovojë një konferencë ndërkombëtare paqeje, që do të mbahet në Evropë nën kujdesin e Kombeve të Bashkuara, me përfshirjen e plotë të Vatikanit dhe në një fazë të mëvonshme të Shteteve të Bashkuara, Kinës, Britanisë së Madhe dhe fuqive të tjera.

Nëse do të konceptohej në këtë mënyrë, kongresi i madh i paqes do të sillte fitoren e “partisë së arsyeshmërisë” në Perëndim, dhe për pasojë anulimin e “vullnetit kartagjenas” përkundrejt Rusisë. Rezultati përfundimtar mund të jetë lindja një rendi të ri evropian, me shpresën konkrete për paqe dhe një mirëqenie të qëndrueshme. /abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!