Ndarja nga jeta e Sinisa Mihajloviç, klubi i Inter: T’i thuash lamtumirë Sinisas është e dhimbshme, e padrejtë

schedule17:00 - 16 Dhjetor, 2022

schedule 17:00 - 16 Dhjetor, 2022

Pas 3 vitesh e gjysmë luftë, ndaj një sëmundjeje tepër të rëndë, ish-lojtari dhe zv/trajneri i Interit, Sinisa Mihajloviç u nda ditën e sotme nga jeta.

Në faqen zyrtare të klubit të Interit është postuar një letër lamtumire, drejtuar të madhit Sinisa, i cili si trajner e si lojtar, i ka dhuruar “zikltërve”, 3 kampionate, 2 Kupa Italie dhe 1 Superkupë.

Letra e lamtumirës nga klubi i Interit:

“FC Internazionale Milano, presidenti i saj Steven Zhang, Zëvendës Presidenti Javier Zanetti, Drejtorët Ekzekutiv Alessandro Antonello dhe Giuseppe Marotta, trajneri Simone Inzaghi dhe stafi i tij, lojtarët dhe e gjithë bota e Interit bashkohen në ngushëllimet për ndarjen nga jeta të Sinisa Mihajlovic dhe duke e kujtuar atë, përqafojnë familjarët e tij.

Nuk je kurrë gati për të përshëndetur një “shoqërues” të udhëtimit. Duket se koha ka qenë shumë e shkurtër, tashmë ka ikur, vetëm një kujtim. T’i thuash lamtumirë Sinisa Mihajlovic përgjithmonë është e vështirë për shumë arsye. Është e dhimbshme, e padrejtë, thellësisht melankolike.

Kundërshtari i parë në fushë, pastaj u kthye në “zikaltër”, si lojtar dhe si ndihmës trajner. Më pas sërish përballë njëri-tjetrit, në stolat rival. Gjithmonë besnik ndaj vetes në këmbëngulje dhe qëndrim, krenari dhe seriozitet.

Numri 10 i mbrojtësve. Aftësia fizike, mençuria taktike dhe një këmbë e majtë e bekuar. Rrallë është parë një këmbë kaq e fuqishme, kaq e saktë me këmbën e majtë në fushat e futbollit. Mbreti i goditjeve standarte, autor i golave ​​të bukur edhe me fanellën e Nerazzurrëve.

Kur mbërriti te Interi në moshën 35-vjeçare, ai i bëri të qartë gjërat që në konferencën e parë për shtyp: “Unë jam këtu për të luajtur dhe për të fituar. Kam ende diçka brenda dhe mund t’ia jap Interit”. Ai ishte i fjalës së tij. Dy sezone, një Scudetto, dy Kupa të Italisë. Njëra, e shënuar me një goditje dënimi në finale, në San Siro. Të ulërasësh. 43 ndeshje dhe 6 gola, të gjitha padyshim nga goditjet standarte. Çudira për t’u mbajtur mend, një nga një.

Më pas eksperienca në pankinën e Nerazzurrëve, zëvendës në krah të mikut të tij të madh Roberto Mancini. Në dy vjet, dy Scudetti dhe Superkupa e Italisë. Fitore të bukura, fitore të pashlyeshme. Një shenjë e rëndësishme në historinë e “Nerazzurrëve”, përpara se të fillonte karrierën e trajnerit.

Personaliteti dhe besimi i transmetuar te lojtarët e tij, luftëtar brenda dhe jashtë fushës, kur iu desh të ndërmerrte sfidën më të vështirë dhe më të rëndësishme, atë kundër sëmundjes. Sinisa kishte vullnet për të jetuar, për të luftuar. “Unë luftova me leuceminë”,- tha ai. Sepse ai e luftoi me krenari, duke iu rikthyer stërvitjes, duke zbuluar edhe një anë që e ka fshehur gjithmonë prej vitesh: “Mësova të qaj, të shohësh një njeri të ashpër duke qarë është e butë”.

Sinisa gjatë gjithë rrugës dha një mesazh që ka mbërritur dhe do të mbetet në zemrat e të gjithë futbolldashësve. Sporti dhe jeta.

Interi, duke përqafuar familjen e tij në këtë moment shumë të trishtuar, e kujton atë me dashuri dhe miqësi të pamasë.

Përshëndetje Sinisa!”

/i.m /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!