Shyqyri Rreli u nda sot nga jeta dhe personalitet të shumta të botës së sportit kanë shprehur ngushëllimet. Sigurisht nuk mund të mungojë një mesazh nga Federata Shqiptare e Futbollit, si dhe nga dy klubet kryeqytetase, Partizani dhe Tirana. Nuk mungon një mesazh edhe nga Shkumbini, ku Rreli më parë ka qenë trajner.
MESAZHI I BARDHEBLUVE – “Klubi i Futbollit Tirana shpreh ngushëllimet më të thella familjes Rreli dhe të gjithë komunitetit të sportit për ndarjen nga jeta të një prej ikonave të futbollit shqiptar. Shyqyri Rreli, ish-futbollist dhe ish-trajner i Tiranës, si dhe shumë skuadrave në Shqipëri, ka lënë pas një emër të madh me një kontribut të jashtëzakonshëm. U prehsh në paqe Profesor!”, shkruhet në mesazhin e klubit të Tiranës.
MESAZHI I SHKUMBINIT – “Me hidhërim të thellë morëm vesh për ndarjen nga jeta të një prej emrave më të spikatur në fushën e futbollit shqiptar, trajnerin Shyqyri Rreli. Më herët profesor Shyqyri Rreli ka drejtuar ekipin e Shkumbinit mes ekipeve më të mira të Superligës Shqiptare. Klubi Shkumbini dhe mbare opinioni futbolldashës në Peqin i shpreh ngushëllimet familjes për këtë humbje të madhe. Në Peqin do të kujtojmë gjithmonë me respekt njeriun e dashur dhe të përkushtuar ndaj sportit të dashur të futbollit. U prefsh në Mëshirën e Zotit Profesor Shyqyri Rreli”.
MESAZHI I PARTIZANIT – “Me keqardhje të thellë mësuam sot lajmin e ndarjes nga jeta në moshën 89-vjeçare të një prej figurave më të mëdha të futbollit shqiptar, Shyqyri Rreli. Profesor Asoc. Dok Shyqyri Rreli ka qenë ish-futbollist i Erzenit, Tiranës, Dinamos dhe ekipit tonë kombëtar. Me ekipin e Dinamos ai fitoi 4 Tituj Kampion dhe 3 Kupa të Shqipërisë. Shyqyri Rreli spikati edhe si trajner në drejtimin e ekipit tonë përfaqësues, duke regjistruar mjaft suksese.
E paharrueshme fitorja 2- 0 ndaj Belgjikës dhe barazimi 2 – 2 ndaj Polonisë në vitin 1984. Gjithashtu me përfaqësuesen U-21 u shpall 2 herë kampion i Ballkanit në 1978 dhe 1981. Njëkohësisht Shyqyri Rreli është vlerësuar me titujt “Mjeshtër i Madh”, “Mjeshtër Sporti”, “Mjeshtër i Merituar i Sportit”, “Trajner Kombëtar”, “Nderi i Sportit Shqiptar”, “Legjenda e Futbollit Shqiptar”.Klubi i Futbollit Partizani i përcjell ngushëllimet më të sinqerta familjes dhe të afërmve, për këtë humbje të madhe të njeriut të tyre më të dashur. U prehsh në paqe Profesor!”, shkruan klubi i kuq. /abcnews.al