Ndarja nga jeta e Pagarushës, presidenti Meta: Mbretëreshë e këngës shqiptare, artiste e papërsëritshme

schedule12:31 - 7 Shkurt, 2020

schedule 12:31 - 7 Shkurt, 2020

Presidenti i Shqiperise, Ilir Meta, ka shkruar mesazhin e tij të ngushëllimit në lidhje me ndarjen nga jeta të artistes së madhe Nexhmije Paragusha.

Përmes një postimi në profilin e tij kreu i shtetit shkruan se Pagarusha nuk ishte magjike, vetëm në skenë dhe ekran, por në çdo moment të jetës së saj.

Ndër të tjera presidenti Meta ndër të tjera në reagimin e tij thekson se ajo është një nga përfaqësueset më të mëdhaja të artit e muzikës, e nderuar dhe vlerësuar ndërkombëtarisht, me trashëgiminë e vyer që la pas, Nexhmije Pagarusha do të mbetet e paharruar për të gjithë ne.

Mesazhi i Metës:

Me shumë dhimbje e hidhërim të thellë mora lajmin tragjik të ndarjes nga jeta të Mbretëreshës së këngës shqiptare, artistes sonë të madhe e të papërsëritshme, Nexhmije Pagarusha.

E dashur dhe e admiruar nga të gjitha brezat për vokalin e jashtëzakonshëm, emocionet dhe krenarinë që i dhuroi kombit në dekada, kjo humbje e pazëvendësueshme i ka prekur sot të gjithë shqiptarët dhe admiruesit e saj kudo.

Si artiste që bëri histori në momente të vështira, falë talentit artistik, personalitetit fisnik e të spikatur, Nexhmije Pagarusha, do jetë përherë një model referimi për brezat e rinj të artistëve, një yll i pashuar i muzikës shqiptare, këngët e së cilës do të këndohen përjetë.

Unë isha fatlum ta njihja nga afër dhe të ndaja me të shumë momente të bukura dhe të paharrueshme. Ajo nuk ishte magjike, vetëm në skenë dhe ekran, por në çdo moment të jetës së saj.

Duke ndarë dhimbjen e thellë për këtë humbje të madhe, u shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes, të afërmve, bashkëpunëtorëve dhe të gjithë artdashësve shqiptarë.

Si një nga përfaqësueset më të mëdhaja të artit e muzikës, e nderuar dhe vlerësuar ndërkombëtarisht, me trashëgiminë e vyer që la pas, Nexhmije Pagarusha do të mbetet e paharruar për të gjithë ne./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!