Presidenti Ilir Meta e ka quajtur një lajm të trishtueshëm ndarjen nga jeta të piktorit dhe arkitektit Maks Velo
Meta thotë se ai luftonte pa kompromis transformimet e shfrenuara urbane, ndërsa thekson se zëri i Tij kritik do t’i mungojë në veçanti mbrojtjes së interesit publik.
LEXO EDHE: Ndarja nga jeta e Maks Velos, Rama me zemër të “thyer”: Çfarë trishtimi, lamtumirë
“Ndarja nga jeta e Maks Velos është një lajm i trishtueshëm. Si një prej figurave më novatore të artit shqiptar, simbol i antikonformizmit dhe lirisë së mendimit, piktor e arkitekt i shquar që luftonte pakompromis transformimet e shfrenuara urbane, intelektual aktiv që jetoi dy epoka duke provuar vuajtjet e burgjeve të diktaturës, shkrimtar e studiues i njohur, kjo ikje e Tij le pas një boshllëk të pazëvendësueshëm në shoqërinë shqiptare.
Ngushëllime të afërmve, bashkëpunëtorëve, miqve e dashamirësve të shumtë! Maks Velo dhe zëri i Tij kritik do t’i mungojë në veçanti mbrojtjes së interesit publik në këtë periudhë të brishtë institucionale dhe demokratike”, shkruan Meta.