Ndarja nga jeta e aktorit Rikard Ljarja, presidenti Meta mesazh ngushëllimi: Humbje e pazëvendësueshme!

schedule08:43 - 21 Prill, 2020

schedule 08:43 - 21 Prill, 2020

Ndarja nga jeta e legjendës së kinematografisë shqiptare Rikard Ljarja ka sjellë reagime të shumta nga miq e të afërm por edhe nga aktorët politik të cilët kanë përcjellë mesazhe ngushëlluese për familjen e të afërmit.

Këtyre mesazheve ngushëlluese i është bashkuar edhe Presidenti Meta i cili shkruan se humbja e aktorit të madh është e pazëvendësushme për teatrin dhe kinematografinë.

“I hidhëruar nga lajmi për ndarjen nga jeta të aktorit të madh, skenaristit e regjisorit të mirënjohur, Rikard Ljarja.
Pa fjalë nga dhimbja për këtë humbje të madhe e të pazëvendësueshme, jo vetëm për familjen e Tij, për teatrin dhe kinematografinë shqipare, por për të gjithë brezat që u rritën dhe duartrokitën talentin e veçantë dhe personazhet e paharruara të luajtura mjeshtërisht prej Tij.
Si një përfaqësues tipik i një brezi idealistësh me shpirt krijues, të cilët aq shumë e deshën artin dhe Shqipërinë, ky largim në amëshim i Rikardit të madh na ka pikëlluar të gjithëve!
Ngushëllimet më të sinqerta për familjen Ljarja, Marjetën e dashur, fëmijët, të afërmit, miqtë, bashkëpunëtorët, dhe të gjithë artdashësit shqiptarë.
Kujtimi i Tij do të mbetet i paharruar si vetë trashëgimia e çmuar që la pas me talentin, pasionin dhe krijimtarinë e shkëlqyer!”, shkruan Meta./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!