Presidenti Ilir Meta ka reaguar pas ndarjes nga jeta të kompozitorit Agim Krajka. Meta shkruan se Krajka ishte një personalitet i jashtëzakonshëm i muzikës shqiptare me një kontribut të vyer për disa dekada. Ai i shpreh ngushëllimet familjes, kolegëve dhe artdashësve.
“Me hidhërim të thellë mora lajmin e trishtë për ndarjen nga jeta të kompozitorit tonë të shquar, Nderit të Kombit, Agim Krajka. Personalitet i jashtëzakonshëm i muzikës shqiptare, me një kontribut të vyer për dekada në transmetimin e vlerave më të spikatura shpirtërore të kulturës sonë te brezat e rinj, trashëgimia e Tij e pasur artistike do të nderohet dhe do jetojë përjetë.
Duke u përulur me nderim e mirënjohje të thellë para veprës së Tij, u shpreh ngushëllimet më të ndjera familjes së dashur Krajka, kolegëve dhe të gjithë artdashësve shqiptare për këtë humbje të pazëvendësueshme, që na ka lënduar të gjithëve. Lutemi, që shpirti i Tij të gjejë paqen e merituar!”, shkruan Meta./mv.abcnews.al