Ndalimi i autobusëve nga Serbia/ Hoxhaj: Provokim, tentativë për të rritur tensionet mes dy vendeve

schedule16:44 - 17 Prill, 2024

schedule 16:44 - 17 Prill, 2024

Ish ministri i Jashtëm, Enver Hoxhaj, gjatë intervistës për “Ballkan Update” komentoi edhe rastin e ndaljes së udhëtarëve dhe autobusëve nga Kosova nga autoritetet e Serbisë. Bashkimi Evropian dënoi veprimin e serbëve, duke thënë se është shkelur marrëveshja që ka të bëjë me lirinë e lëvizjes.

Hoxhaj e cilësoi këtë veprim si një provokim nga Serbia që vjen një ditë pas votimit në asamblenë parlamentare të Këshillit të Evropës për anëtarësimin e Kosovës në këtë organizatë. Sipas tij, kjo është një përpjekje për të rritur tensionet mes dy vendeve. Ai gjithashtu shtoi se shumica e autobusëve janë liruar.

“Votimi i deputetëve serbë ka qenë shkelje e marrëveshjes së Brukselit të shkurtit të vitit të kaluar, ku Serbia obligohet që të mos bllokojë anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare. Bllokimi i qytetarëve të Kosovës që ishin në rrugë e sipër drejt Austrisë dhe Hungarisë është shkelje e marrëveshjeve që kemi bërë me Serbinë por edhe e çdo konvente ndërkombëtare dhe e vlerave dhe parimeve evropiane për liri të lëvizjes.

Ka qenë një provokim dhe sulm mbi qytetarët e Kosovës, është një nervozë pas votimit të djeshëm dhe tregon se Kosova është në mes të një luftë hibride, dhe luftërat hibride bëjnë përpjekje që të rrisin tensionet dhe një situatë e tillë ka për qëllim që të ngrejë tensionet mes Kosovës dhe Serbisë. Fola me pronarin e një kompanie, duket që shumica e këtyre autobusëve janë liruar.”, u shpreh mes të tjerash Hoxhaj./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!