Sondazh

Në SPAK nis epoka Braho:

Shiko rezultatet

Loading ... Loading ...
 

Ndahet nga jeta Khaleda Zia, gruaja e parë kryeministre e Bangladeshit

schedule10:24 - 30 Dhjetor, 2025

schedule 10:24 - 30 Dhjetor, 2025

Khaleda Zia, ish-kryeministrja e Bangladeshit dhe gruaja e parë që drejtoi qeverinë e vendit, ka ndërruar jetë në moshën 80-vjeçare.

Lajmi u konfirmua sot, 30 dhjetor, nga Partia Nacionaliste e Bangladeshit (BNP), të cilën Zia e drejtoi për shumë vite. Ajo u nda nga jeta në orët e para të mëngjesit, ndërsa ndodhej e shtruar në spital në Dhaka.

Mjekët kishin bërë të ditur një ditë më parë se gjendja e saj shëndetësore ishte kritike. Zia mbahej në jetë aparate mbështetëse dhe vuante nga disa sëmundje, përfshirë probleme të rënda me veshkat, zemrën dhe pneumoni.

Pas lajmit të vdekjes, dhjetëra mbështetës u mblodhën para spitalit ku ajo po trajtohej.

Khaleda Zia hyri në politikë pas vrasjes së bashkëshortit të saj, presidentit të atëhershëm Ziaur Rahman, në vitin 1981. Ajo u bë kryeministrja e parë femër e Bangladeshit në vitin 1991.

Karriera e saj politike u shënua nga përballja e fortë me rivalen e saj, Sheikh Hasina, e cila u rrëzua nga pushteti pas protestave masive në fund të vitit 2024.

Zia shërbeu disa mandate si kryeministre dhe u vlerësua për përpjekjet në forcimin e demokracisë parlamentare dhe përmirësimin e rolit të grave në shoqëri. Megjithatë, mandati i saj u shoqërua edhe me akuza për korrupsion, të cilat ajo i mohoi dhe i cilësoi si të motivuara politikisht.

Ajo kaloi vite në burg dhe në arrest shtëpie, ndërsa iu lejua të udhëtonte jashtë vendit për trajtim mjekësor vetëm pasi Sheikh Hasina humbi pushtetin. Zia u lirua nga burgu në janar 2025.

Udhëheqësi i përkohshëm i Bangladeshit, Muhammad Yunus, e cilësoi Zian si një “simbol të lëvizjes demokratike”. Edhe kryeministri i Indisë, Narendra Modi, shprehu ngushëllime dhe vlerësoi rolin e saj në zhvillimin e Bangladeshit dhe marrëdhëniet rajonale.  / abcnews.al /

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!