NBA/ Rekorde dhe spektakël, Boston nuk njeh rivalë, Celtics fiton ndeshjen e 62-të të sezonit

schedule19:16 - 8 Prill, 2024

schedule 19:16 - 8 Prill, 2024

Rekorde, konfirmime dhe përmbysje. Ka dhuruar gjithçka mbrëmja e fundit e NBA, që mes spektaklit po i afrohet fundit të sezonit të rregullt. Boston tregoi edhe një herë se mbetet mes favoritëve kryesorë, me një tjetër fitore që thellon rekordin sezonal, teksa me vendin e parë në Konferencën e Lindjes të siguruar javë më parë, Celtics fituan edhe ndaj Portland, 124-107.

Ndeshja në “TD Garden” kishte pak histori. Megjithëse pa Jayson Tatum, të zotët e shtëpisë dominuan sfidën falë paraqitjes së Jaylen Brown, dutor I 26 pikëve. Kjo ishte fitorja e 62-të për Boston, ndërsa asnjë skuadër tjetër nuk ka këtë seri pozitive.

Në Konferencën e Perëndimit, gara për vendin e parë kishte një tjetër rrokadë. Meritë e Minnesota, që merr sërish vendin e parë, pas fitores së madhe 127-117 në fushën e Los Angeles Lakers, teksa me mungesën e “King” James dhe Anthony Davies, skuadra kaliforniane rezistoi sa mundi, ndërsa 30 pikët e Hachimoura nuk mjaftuan për të evituar humbje. Fitorja e “Timberwolves” mban firmën e Reid në rolin e shënuesit më të mirë të mbrëmjes me 31 pikë, ndërsa nuk zhgënjeu as Anthony Edwards me 26 pikë të tjera për skuadrën e tij.

Përveç skuadrave, mbrëmja e fundit e NBA solli konfirmime edhe në aspektin personal për Luka Doncic dhe Viktor Wembanyeama, me sllovenin, që udhëhoqi Dallas, në fitoren kundër Houston, duke iu afruar tre shifrave dopjo me 37 pikë, 12 asist dhe 9 topa të kapur në tabelë.

Ndërsa, nga ana tjetër, Wembanyeama i shtoi një tjetër paraqitje spektakolare sezonit të tij të parë në basketbollin amerikan. Pavarësisht humbjes së San Antonio kundër Philadelphia, francezi shënoi 33 pikë, kapi 18 topa në tabelë, dha 6 asist dhe bëri 7 bllokime. Shifra spektakolare, që e konfirmojnë 20 vjeçarin si favorit për titullin e debutuesit në NBA. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!