NBA/ Philadelphia në “play-off”, Embiid bën liderin, “76ers” fitojnë me një pikë ndaj Miami Heat

schedule16:56 - 18 Prill, 2024

schedule 16:56 - 18 Prill, 2024

Pas Los Angeles Lakers edhe skuadra e Philadelphia 76ers ka siguruar biletën direkte për në fazën e “play-off”, në NBA. Philadelphia triumfoi kundër Miami Heat në sfidën e “play-in”. Një ndeshje dramatike kjo e mbyllur me vetëm një pikë diferencë në rezultatin e përgjithshëm 105-104 në favor të skuadrës vendase.

Joel Embiid nuk zhgënjeu pritshmëritë, duke bërë një paraqitje të shkëlqyer. Me dy shifra dopjo, 23 pikë dhe 15 topa të kapur në tabelë, “ylli” i 76ers festoi në mënyrën më të mirë edhe ftesën e parë me kombëtaren amerikane të basketbollit për Lojrat Olimpike. Për të zotët e shtëpisë, një punë të mirë bëri edhe Batum, që i shtoi 20 pikë nga pankina fitores së Philadelphia, që do të nisin aventurën në “play-off” e Konferencës së Lindjes kundër New York Knicks në “Maddison Square Garden”.

Nga ana tjetër, pavarësisht humbjes, skuadra e Miami ka edhe një shans të dytë për të siguruar vendin në “play-off”. Heats do të përballen më Chicago Bulls, që fituan me lehtësi sfidën e tyre në “play-in”, kundër Atlanta. “Demat” imponuan rezultatin 131-116 në ndeshjen e luajtur në shtëpinë e tyre, falë një prezantimi spektakolar të White me 42 pikë, 9 topa në tabelë dhe 6 asist.

Nuk qëndruan në hije as Vucevic dhe DeMar DeRozan, që shënuan respektivisht 24 dhe 22 pikë secili. Tani për Bulls mbetet edhe një pengesë për të siguruar vendin e fundit në fazën e “play-off”, në Konferencën e Lindjes. /i.m /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!