Pas Lindjes, ishte radha e Konferencës së Perëndimit për të konfirmuar favoritët, që do ta përfaqësojnë në fazën e “play off” të NBA.
Oklahoma mban vendin e parë në renditje pas sfidave të mbrëmjes së fundit në basketbollin amerikan, duke dhënë një tjetër provë të forcës së saj në fitoren dramatike me një pikë diferencë, 113-112 në transfertën kundër New York Knicks. Fati i sfidës u vendos vetëm katër sekonda nga sirena e fundit, ndërsa njeriu i suksesit për Thunder ishte Jalen Williams me 33 pikë.
Ruan ritmin edhe Denver, që bashkë me Oklahoma siguron biletën e “play off”. Kampionët në fuqi të basketbollit amerikan fituan në shtëpi 130-101 ndaj Cleveland. Diferenca prej 29 pikësh tregonin dominimin e Nuggets, ndërsa Nikola Jokic mbylli ndeshjen me tre shifra dopjo. Serbi ishte më i miri me 26 pikë, 18 topa të kapur në tabelë dhe 16 asist për shokët e skuadrës.
Edhe Los Angeles Lakers i shtuan një tjetër fitore serisë pozitive, megjithëse iu duhet ende shumë për të siguruar biletën direkte për në fazën tjetër. LeBron James bëri një tjetër paraqitje spektakolare me 40 pikë, duke ngjitur skuadrën në vendin e tetë të klasifikimit në Konferencën e Perëndimit.
Vazhdon edhe seria pozitive e Dallas, që me fitoren 107-125 në fushën e Houston mbylli rekordin e Rockets me 11 suksese radhazi. Luka Doncic konfirmoi sezonin e tij sepktakolar, duke ndihmuar Mavericks me 47 pikë, 12 topa të kapur në tabelë dhe 7 asist, teksa me këtë fitore, Dallas mban vendin e pestë në renditjen e Perëndimit dhe ka në dorë kualifikimin për në fazën tjetër të sezonit në NBA. /i.m /abcnews.al