Dikur e bënin Dinastitë si Los Anxhelos Lejkërs, Çikago Bulls apo Golden Stejt Uorriors.
As edhe Boston Sëlltiksat e lavdishëm nuk ia kanë dalë, por kjo Oklahomë duket sikur do të ndryshojë historinë.
Me 21 fitore dhe vetëm një humbje, kampionia në fuqi e NBA-së u bë skuadra e katërt në historinë e basketbollit amerikan që ka një nisje të tillë, pra me vetëm një humbje ose edhe më pak pas 22 ndeshjeve të para.
Konfirmimi i radhës erdhi në fitoren bindëse, edhe pse jo të lehtë në fushën e Golden Stejtit, 124-112.
Natyrisht, ndikoi mungesa e Stef Kërrit dhe fakti që Xhimi Batler doli herët nga parketi për shkak dëmtimi, por gjithsesi ekipi I udhëhequr nga Shej Gilgës Aleksandër duket si I një planeti tjetër.
Imagjinoni, e vetmja humbje e sezonit, e pësuar ndaj Hjustonit ishte vetëm për dy pikë, ndërsa diferenca në çdo ndeshje me rivalët është mesatarisht të paktën 15 pikë.
Shej shënoi 38 pikë ndaj Golden Stejtit, dhe Lojtari më i mirë i sezonit të kaluar ka 94 ndeshje me të paktën 20 pikë.
Vetëm legjenda Uilt Çembërlen ka më shumë, 126.
Jo më kot, lideri I Oklahomës është i dyti në renditjen e shënuesve këtë vit, me mesataren 32.5 pikë për ndeshje.
Po flasim për një formacion me moshë të re, me mesatare 24.5 vjeç, që është e gjashta më e re në NBA këtë edicion.
Mund ta merrni vetë me mend se çfarë mund të ndodhë kur Shej dhe shokët e tij të arrijnë moshën e pjekurisë së një Majkëll Xhordani apo Lebron Xhejmsi, dhe të jenë sërish bashkë!
Padyshim, kalendari ka qenë miqësor me kampionët deri tani dhe sfidat e vështira vijnë më pas, por kjo duket një vërejtje jo shumë e logjikshme.
Me besim absolut në vetvete, me formën fizike të shkëlqyer, me talent me shumicë dhe me një ekip si një familje, Oklahoma Thandër ndoshta do të synojë diçka edhe më të madhe.
Jo vetëm që të mbrojë titullin, por edhe që të arrijë 74 fitore në një sezon, për të thyer rekordin e Golden Stejtit me 73, ndërsa Vëllezërit Splesh, Stef Kërri e Klej Tompson, kaluan rekordin e Dinastisë së Xhordanit dhe Bullsave me 72 fitore e 10 humbje.

