James Harden ishte sërish shënuesi më i mirë i basketbollit amerikan, duke realizuar 39 pikë në fitoren e Houston Rockets ndaj New Orleans. Falë tij, skuadra nga Teksasi është pranë vendeve të para të renditjes
Nuk ishte mbrëmja më e mirë, por edhe kështu ia del mbanë. James Harden, jo më kot është shënuesi më i mirë i sezonit në NBA dhe forma e tij po i bën shumë punë Houston Rockets. Skuadra nga Teksasi arriti një fitore rrugës, siç thonë në Amerikë, pra në fushë kundërshtare, duke iu imponuar New Orleans Pelicans me shifrat 122-116.
Harden shënoi 39 pikë, kapi 4 topa në tabela e shërbeu 9 asiste, ndonëse gaboi shumë në gjuajtje, sidomos në ato nga largësia. U desh një frymëzim në pjesën e katërt dhe të fundit që të krijonte shkëputjen e Houston.
Basketbollisti me numrin 13, i mbiquajtur “Mjekra”, ndihmoi edhe me dy vjedhje topi dhe një bllokim gjuajtjeje, ndërsa ndihmësi i tij më i mirë ishte Russell Westbrook. Ylli i ardhur nga Oklahoma City Thunder shënoi 26 pikë, por po ashtu gaboi shumë për tri pikë.
Kjo bëri që New Orleans të pretendonte fitoren, edhe pse ka mbetur pa Anthony Davis, madje ishte edhe pa shënuesin më të mirë të sezonit, Brandon Ingram. Houston mban vendin e tretë në Konferencën Perëndimore me 7 fitore e 3 humbje, ndërsa Harden është realizuesi më i mirë i NBA-së deri tani, me një mesatare mbi 37 pikë për ndeshje.
NDESHJET E DITËS NË NBA
Detroit Pistons-Minnesota Timberwaolves 114-120
San Antonio Spurs-Mephis Grizzlies 109-113
Boston Celtics-Dallas Mavericks 116-106
New Orleans Pelicans-Houston Rockets 116-122
Los Angeles Clippes-Toronto Raptors 98-88
Golden State Warriors-Utah Jazz 108-122
/ABC NEWS ALBANIA 24/7