NBA, Golden State barazon rezultatin

schedule11:44 - 3 Qershor, 2019

schedule 11:44 - 3 Qershor, 2019

Golden State barazoi rezultatin në finalen e madhe të basketbollit amerikan. Fitorja në fushën e Torontos ishte e vështirë, ndërsa u dëmtua edhe kapiteni Thompson.

Nuk dorëzohen kurrë, por edhe hallet nuk u mbarojnë asnjëherë. Kampionët e NBA-së, basketbollistët e Golden State, barazuan rezultatin në finalen e madhe ndaj Torontos, duke fituar ndeshjen e dytë në Kanada, por edhe duke pësuar dëmtimin e kapitenit Clay Thompson.

Nuk dihet ende sesa i rëndë është lëndimi i tij, por mungesa e një lojtari të tillë, padyshim ia rrezikon mbrojtjen e titullit. Thompson shënoi 25 pikë në 32 minuta lojë, në fitoren 109-104, ndërsa Stephen Curry shtoi 23 pikë të tjera.

Draymond Green ishte në nivelin që kërkohej me 17 pikë, 10 topa në tabela, 9 asistë, 2 vjedhje topi e 1 bllokim gjuajtjeje, por një rikthim i rëndësishëm ishte ai i qendrës Demarcus Couzins, që pati 11 pikë, 10 topa në tabela e 6 asistë në 27 minuta në parket.

Gjithsesi, Kevin Durant nuk luajti, nuk dihet nëse do të luajë në ndeshjen e tretë, ashtu siç është në dyshim edhe kapiteni Thompson. Toronto luftoi fort dhe ishte në epërsi deri në 12 pikë gjatë gjysmës së parë të ndeshjes.

Në periodën e tretë, siç edhe mendohej, Uorriorsët reaguan dhe patën një rezultat të pjesshëm 18-0, duke kaluar në avantazh, e duke mos u arritur më. Koui Leonard ishte më i miri në fushë, duke realizuar 34 pikë për Toronton, plus edhe 14 topa në tabela, por mori më pak ndihmë nga shokët se zakonisht.

Ndeshja e tretë luhet në fushën e Golden State-t, në Arenën e Oakland-it, mëngjesin e 6 qershorit./ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!