NBA/ Fitojnë favoritët, Boston nuk ndalet as në “play-off”, Milwaukee e Clippers bëjnë detyrën

schedule16:16 - 22 Prill, 2024

schedule 16:16 - 22 Prill, 2024

Efekti fushë bën diferencën edhe në mbrëmjen e dytë të ndeshjeve në fazën “play-off” të NBA. Skuadrat e shtëpisë dhe favoritët fituan sfidat e tyre, duke hedhur një hap të sigurt drejt raundit tjetër të kampionatit amerikan të basketbollit.

Pasi mbylli me rekord sezonin e rregullt, Boston vijon serinë e fitoreve edhe në fazën e “play-off”, duke fituar përballjen e parë kundër Miami, me skuadrën e Celtics, që e mbylli sfidën me rezultatin rezultatin 114-94, duke konfirmuar sërish veten si pretendentë kryesor për titullin kampion, teksa një tjetër natë magjike vjen nga Jayson Tatum, me liderin e Boston, që siguron tre shifra dopjo, 23 pikë, 10 topa të kapur në tabelë dhe po aq asist.

Fitore edhe për Los Angeles Clippers marrin epërsinë e serisë kundër Dallas. Kalifornianët fituan sfidën e parë në fushën e tyre me rezultatin 109-97. James Harden ishte shënuesi më i mirë i vendasve me 28 pikë, teksa për Mavericks nuk mjaftuan paraqitjet e shkëlqyera të Luka Doncic dhe Kyrie Irving, me sllovenin që ishte shënuesi më i mirë i ndeshjes me 33 pikë, ndërsa i shtoi ndeshjes personale edhe 13 topa të kapur në tabelë, ndërsa për yllin tjetër të Dallas 31 pikë në këtë ndeshje.

Megjithëse pa Giannis Antentokoumpo të dëmtuar, Milwaukee kalon pengesën e parë në “play-off”, duke mundur 109-94 skuadrën e Indiana, me Damian Lillard, që mori në krahë skuadrën e Bucks, duke shënuar 35 pikë në fitoren e të zotëve të shtëpisë.

Nuk zhgënjen as Oklahoma, megjithëse kryesuesit e Konferencës së Perëndimit në sezonin e rregullt rrezikuan shumë në sfidën e parë kundër New Orleans të fituar me vetëm dy pikë diferencë në rezultatin e përgjithshëm 94-92. Kjo ishte edhe ndeshja me më pak pikë e mbrëmjes në “play-off”-in e NBA, me “shtatlartin”, Gilgeous-Alexandre evitoi surprizën e hidhur për Thunders, duke bërë diferencën me 28 pikët e shënuara në suksesin e vendasve. /i.m /abcnews.al