NBA/ Denver fiton finalen e parë, mposht bindshëm Miami

schedule12:06 - 2 Qershor, 2023

schedule 12:06 - 2 Qershor, 2023

Përfundimi ishte i pritshëm edhe pse misteri mbetej.

A do të mundej Denveri të vazhdonte marshimin triumfal të deritanishëm në paly off e basketbollit amerikan, ndërsa përballë kishte një Miami tepër luftarak? Për momentin, përgjigja është “Po”, pasi skuadra nga Kolorado fitoi sfidën e parë të Finaleve të Mëdha për titull.

Rezultati në Arenën shtëpiake ishte 104-93 nën udhëheqjen e yllit kryesor, Nikola Jokiç. Basketbollisti nga Serbia pati triple double, me 27 pikë, 10 topa në tabela e 14 asistë. Ai u bë lojtari qendër që jep më shumë asiste në një ndeshje finale të NBA-së, diçka që nuk e kanë arritur Chamberlain, Jabari, Duncan apo O’ Neal.

Jokiç u bë i dyti lojtar në histori që nis serinë finale me triple double, ndërsa i pari ishte Jason Kidd. Vetëm tre lojtarë në historinë e basketbollit amerikan kanë arritur mbi 450 pikë, mbi 200 topa në tabela e mbi 150 asiste, dhe këta janë Lary Bird, Lebron James dhe Jokiç.

Pritet të shihet sesi do të reagojë Miami në ndeshjen e dytë, që do të luhet sërish në Denver, duke u gdhirë mëngjesi i së hënës sipas orës së Shqipërisë./ h.ll/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!