Nuk ka nevojë për konfirmime, por elozhet janë të paevitushme përballë një ecurie rekord që vijon të thellohet pas çdo ndeshjeje. Boston nuk ka ndërmend të ndalet në këtë sezon të rregullt të NBA, duke siguruar një tjetër fitore të madhe si ajo në tranfertën kundër Chicago Bulls.
Celtics imponuan rezultatin 124-113, ndërsa ky ishte suksesi i nëntë radhazi, që i largon më shumë nga ndjekësit në Konferencën e Lindjes. Jayson Tatum ishte edhe një herë lider në triumfin e Boston. Ai shënoi 26 pikë, duke ndihmuar edhe një herë skuadrën e tij në këtë sezon të basketbollit amerikan.
Nga ana tjetër, DeMar DeRozan ishte shënuesi më i mirë i ndeshjes. “Ylli” i Bulls realizoi 28 pikë, por kaq nuk mjaftuan për të evituar humbjen e të zotëve të shtëpisë. Me këtë fitore, Celtics shkëputen më shumë në krye të Konferencës së Lindjes, ndërsa tregojnë edhe një herë veten si favoritë në garën për titullin kampion.
Në mbrëmjen e fundit të NBA vijoi seria pozitive edhe për Denver. Kampionët në fuqi të basketbollit amerikan, kaluan 114-111 transfertën kundër Portland. Megjithëse pa Nikola Jokiç, Nuggets arritën të dilnin me fitore, duke mbajtur vendin e dytë në Konferencën e perëndimit. /i.m /abcnews.al