NBA/ Boston “mbyll” rekordin, Celtics humbasin në transfertë, fitojnë Denver e Dallas

schedule17:16 - 26 Mars, 2024

schedule 17:16 - 26 Mars, 2024

Në mbrëmjen e pasur me spektakël dhe emocione të NBA është mbyllur edhe seria rekord e Boston. Pas nëntë fitoreve radhazi, Celtics u mundën në transfertën e Atlanta me vetëm dy pikë diferencë në rezultatin e përgjithshëm 120-118.

Fati i sfidës u vendos në mënyrë dramatike, me një tripikësh të shënuar nga Hunter vetëm në sekondat e fundit, që i dhuroi fitoren të zotëve të shtëpisë. Për Boston nuk mjaftoi Jayson Tatum, në rolin e shënuesit më të mirë me 37 pikë. Gjithsesi, kjo disfatë nuk e cënon aspak kreun e Celtics në Konferencën e Lindjes.

Krejt i ndryshëm është diskutimi në Konferencën e Perëndimit, që jeton një tjetër rrokadë në krye të klasifikimit. Denver nuk ndalet dhe merr sërish vendin e parë pas fitores në shtëpi 128-103 në dëm të Memphis. Edhe një herë, lider në suksesin e kampionëve në fuqi të basketbollit amerikan ishte Nikola Jokic.

Për serbin 29 pikë, 11 topa të kapur në tabelë dhe 8 asist, ndërsa me këtë sukses Nuggets tregojnë edhe një herë se nuk do ta dorëzojnë lehtë titullin.

Një fitore të rëndësishme në transfertë siguroi Dallas. Mavericks mundën Utah me rezultatin 105-115. Si gjithmonë, njeroi i triumfit ishte Luka Donçiç. Slloveni realizoi një tjetër “triple double” në këtë sezon, duke mbyllur ndeshjen me 29 pikë, 13 asist dhe 12 topa të kapur në tabelë. Me këtë fitore, Dallas ngjitet në vendin e shtatë në Konferencën e Perëndimit dhe për momentin ka në dorë biletën për në “play off”. /i.m /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!