Jo më kot ishte një nga ato sfida që mezi pritej.
Oklahoma do të kishte mik kryesuesit e NBA-së, Boston Celtics, dhe besohej tek një betejë e ashpër. Po ashtu, te një e papritur. Kështu edhe ndodhi pasi skuadra e quajtur “Rrufeja”, apo “Thunder” në anglisht, triumfoi 127-123.
Më i miri në fushë ishte Gilgeous-Alexander, shënues i 36 pikëve që udhëhoqi vendasit drejt suksesit prestigjioz. Ai shtoi edhe 6 topa në tabela e 7 asistë, në një paraqitje të shkëlqyer.
Mjaft mirë edhe Giddey me 23 pikë, ndërsa Chet Holmgren, njëri nga debutuesit më të mirë të sezonit pati 14 pikë e 7 asistë.
Për Bostonin, nuk zhgënjyen letonezi Porzingis me 34 pikë dhe kapiteni Jayson Tatum me 30, por nuk mjaftuan.
Fitorja e Oklahoma gjithsesi nuk mund të quhet një e papritur kaq e madhe.
Kjo, sepse “Thunder” kishte mposhtur dy herë kampionen në fuqi, Denver, po ashtu Clippers dhe kryesuesen e Konferencës Perëndimore, Minessota.
Denveri u mposht me 26 pikë diferencë, dhe Minesota me 23, ndërsa Oklahoma ka 5 fitore radhazi, dhe 8 suksese në 9 ndeshjet e fundit.
Duket që ky edicion i basketbollit amerikan do të jetë shumë interesant dhe me rivalitet. /abcnews.al