Giannis Antetokounmpo ishte lojtari më i mirë i mbrëmjes së fundit në basketbollin amerikan. Ai ndihmoi Milwaukee Bucks në fitoren e radhës
Sezonin e kaluar u rrëzua në pengesën e parafundit. Nuk ishte një tragjedi, për një lojtar të ri si Janis Antetokumbo dhe për një skuadër pa përvojë si Miluoki, por koha kalon dhe pretendimet rriten. Skuadra veriore amerikane nuk e nisi shkëlqyeshëm sezonin e ri të NBA-së, por me ndihmën e yllit të saj po e kthen gjithçka për së mbari.
Kështu ndodhi në ndeshjen ndaj Los Angeles Clippers, fituar me shifrat 129-124. Suksesi në Kaliforni u lehtësua disi, pasi dy lojtarët kryesorë të vendasve nuk luajtën. Kawhi Leonard dhe Paul George u mbajtën pushim nga trajneri Dok Rivers.
Gjithsesi, vetë Riversi pohoi se Antetokounmpo është një “bishë” e vërtetë, që e fitoi ndeshjen thuajse i vetëm. Basketbollisti me origjinë afrikane dhe me pasaportë greke shënoi 38 pikë, kapi 16 topa në tabela dhe shërbeu 9 asist, duke qenë shumë pranë një “triple double”.
Antetokounmpo shtoi edhe 2 vjedhje topi e dy bllokime gjuajtjesh të kundërshtarëve, duke qenë zotërues në të dyja tabelat. Ai pati duel me lojtarin e vendasve, Lou Williams, i cili shënoi 34 pikë e shërbeu 11 asiste.
Milwaukee ndodhet në vendin e dytë në Konferencën Lindore të NBA-së, me 6 fitore e 2 humbje. Në gjithë kampionatin, deri tani e kalojnë vetëm Boston Celtics dhe Los Angeles Lakers.
NBA, NDESHJET E DITËS
Detroit Pistons-New York Knicks 122-102
Indiana Pacers-Washington Wizards 121-106
Atlanta Hawks-Chicago Bulls 93-113
Houston Rockets-Golden State Warriors 129-112
Toronto Raptors-Sacramento Kings 124-120
Memphis Grizzlies-Minnesota Timberwolves 137-121
Dallas Mavericks-Orlando Magic 107-106
Utah Jazz-Philadelphia 76ers 106-104
Los Angeles Clippers-Milwaukee Bucks 124-129
/ABC NEWS ALBANIA 24/7