Për herë të parë një shqiptar zgjidhet në krye të qeverisë së Malit të Zi. Parlamenti i këtij vendi votëbesoi kryeministrin Dritan Abazoviç dhe kabinetin e tij. Edhe pse qeveri e pakicës, ajo u miratua me mbështetjen e deputetëve të partisë së presidentit Gjukanoviç.
Seancën e ka ndjekur analisti Mentor Nazarko i cili gjatë një lidhjeje me emisionin “Log.” në Abc ka deklaruar se kjo është një ngjarje që ndodh njëherë në 50 apo 100 vjet.
Teksa ka theksuar se seanca është zhvilluar me tone të edukuara, Nazarko tha se Abazoviç do jetë politikan afatgjatë.
“Seanca e sotme u zhvillua me tone të edukuara. I ngjante seancave të vendeve Nordika për nga mënyra si funksiononte parlamenti. Abazoviç që unë e kam quajtur anti modeli shqiptar e ka arritur këtë me sukses. Kjo është një ngjarje që ndodh njëherë në 50 vjet apo 100 vjet. Ai do jetë politikan afatgjatë, kjo është pak por e sigurt. Ai u karakterizua nga guximi. Ai praktikisht i ka dhënë tonin politikës së Malit të Zi duke imponuar largimin e Gjukanoviç, e nxori jashtë loje grupin pro serb të politikës malazeze duke kaluar plotësisht në linjën perëndimore etj. Të gjitha këto i ka bërë pa sherr.
Klasa politike shqipfolëse, do duhet t’i kërkojë ndjesë këtij njeriu që është etiketuar sidomos nga pjesa shqiptare me termat më të turpshme. Tradhtar. Dua të theksoj diçka që ky zhvillim epokal, nuk u ndoq, me përjashtimin tonë të Log, nuk u ndoq nga asnjë media shqip. Ishte Al Jazeera dhe asnjë media shqiptare. Ajo që është e rëndësishme është se kjo është një qeveri që ka shanse të jetë gjatë. Nuk ka asnjë arsye që ata të shkojnë drejt zgjedhjeve të parakohshme”, tha ai.
Pas një seance disa orëshe, kabineti i Abazoviç mori 45 vota pro nga 81 që janë në Parlamentin malazez, ndërsa 3 përfaqësues të socialdemokratëve ishin kundër. Për qeverinë e Abazoviçit votuan 16 deputetë të partive që përbëjnë koalicionin qeveritar si dhe 29 deputetë të Partisë Demokratike të Socialistëve të Milo Gjukanoviçit, i cili nuk ka përfaqësues në Qeveri. Partitë ne pushtet janë Lëvizja Qytetare URA, e kryeministrit Abazoviç, Partia Popullore Socialiste pro-Serbe (SNP), Partia Socialdemokrate (SDP) dhe partitë kombëtare të shqiptarëve, boshnjakëve dhe kroatëve.
Në seancë nuk morën pjesë deputetë nga Fronti Demokratik Pro-Serb dhe Demokratët, të cilët kundërshtojnë fuqishëm Qeverinë e pakicës. Kryeministri Dritan Abazoviç tha se objektivi i Qeverisë së re është të zhbllokojë procesin e integrimit evropian të Malit të Zi dhe zgjedhjen e pozitave udhëheqëse në Gjyqësor.
Kabineti i ri ka katër zëvendëskryeministra, nga një për çdo parti të koalicionit qeveritar, 18 ministri dhe dy ministra pa portofol.
Më herët gjatë seancës parlamenti malazez zgjodhi kryetaren e tij Danijela Gjuroviç nga Partia Popullore Socialiste pro-serbe, duke mundësuar zhbllokimin e legjislativit që ishte bllokuar prej gati tre muajsh, që pas rrëzimit me mocion mosbesimi të qeverisë se ish kryeministrit Krivokapiç. Kjo është hera e dytë në historinë e Malit të zi që një grua zgjidhet në krye të parlamentit të vendit. /abcnews.al