Udhëheqësi i burgosur i opozitës në Rusi, Aleksei Navalny, tha se Kremlini ka përdorur “frikësimin dhe shtypjen” për të vjedhur zgjedhjet parlamentare në Rusi.
Rezultatet e zgjedhjeve nxorën fituese partinë në pushtet, Rusia e Bashkuar.
“Një rezultat i rremë është ndezur në tabelën e rezultateve. Vëzhguesit tanë u tërhoqën nga qendrat e votimit. Frikësimi dhe shtypja kanë lënë shumë njerëz pa vullnet. Njerëzit, thjesht, kanë frikë të dalin në rrugë”, tha Navalny përmes një postimi në Instagram.
Ai është duke vuajtur një dënim prej dy vjetësh e gjysmë me burgim, nën akuza që aleatët e tij i shohin si të motivuara politikisht.
Rusia ka mbajtur zgjedhjet parlamentare nga data 17 deri më 19 shtator.
Në zgjedhje ka munguar një prani e konsiderueshme e opozitës, pasi autoritetet i kanë shpallur “ekstremiste” organizatat e lidhura me Navalnyn, duke i ndaluar garën secilit nga rrjeti i tij.
Sipas rezultateve preliminare, Rusia e Bashkuar ka fituar 49.82 për qind të votave.
Kjo parti mbështet presidentin rus, Vladimir Putin.
Putin, edhe pse nuk është udhëheqës zyrtar, vepron si udhëheqës de facto i saj.
Raporte për parregullsi në zgjedhje ka pasur nga e gjithë Rusia, por Ministria e Brendshme ruse ka thënë se nuk ka regjistruar ndonjë “shkelje të rëndësishme”./REL