Agjencia amerikane e hapësirës NASA ka konfirmuar se po mban si objektiv datën 1 prill për lançimin e misionit historik Artemis II, i cili pritet të jetë fluturimi i parë me ekuipazh drejt Hënës në më shumë se 50 vjet.
Sipas NASA-s, “dritarja” e lançimit hapet të mërkurën, dhe do të qëndrojë e hapur për dy orë. Në rast të kushteve të pafavorshme, janë parashikuar data alternative deri më 6 prill.
Misioni ka kaluar me sukses kontrollin kritik të gatishmërisë për fluturim, një nga fazat më të rëndësishme përpara nisjes. Nuk janë identifikuar probleme teknike apo rreziqe të pazgjidhura, duke i hapur rrugë transferimit të raketës Space Launch System (SLS) në platformën e lëshimit më 20 mars.
Zyrtarët e NASA-s theksojnë se aktualisht i vetmi faktor i pasigurt mbetet moti, i cili mund të ndikojë në vendimin final për nisjen.
Zëvendësadministratorja për Drejtorinë e Zhvillimit të Sistemeve të Eksplorimit, Lori Glaze, u shpreh optimiste për ecurinë e përgatitjeve.
“Të gjitha procedurat operative po përparojnë shumë mirë. Sistemet e fluturimit, sistemet tokësore, ekipet e lëshimit dhe të operacioneve janë gati. Dhe ekuipazhi është më se i gatshëm,” deklaroi ajo.
Artemis 2 do të jetë misioni i parë me ekuipazh i programit Artemis, i cili synon të kthejë njerëzit në Hënë dhe të krijojë një prani të përhershme atje.
Misioni do të përfshijë astronautët e NASA-s Reed Wiseman, Victor Glover dhe Christina Koch, si dhe astronautin kanadez Jeremy Hansen .


