Andrea Agostinelli është një emër i njohur në Shqipëri. Trajneri italian, i cili ka drejtuar Partizanin dhe Skënderbeun, ka dhënë mendimin e tij në lidhje me problemin kryesor të Napolit. Ekipi i Ancelotti po vuan, nuk fiton prej 4 ndeshjesh në kampionat, renditet në vend të shtatë dhe pakënaqësitë janë shtuar.
62-vjeçari analizon formën e dobët të nënkampionëve (provoi të drejtonte Napolin në vitin 2003) në një prononcim për Radio Kiss Kiss. Agostinelli vlerëson kualitetin e ekipit, teksa tregon edhe pse Napoli po vuan.
“Napoli duhet të tregohet më i keq në fushë, kjo i mungon. Lojtarët nuk kanë karakteristika luftëtarësh, përveç brazilianit Allan. Kundër Romës u pa shumë rrëmujë në mesfushën e ekipit. Nuk mjafton kualiteti, nevojitet vazhdimësi në rendiment për të zhvilluar një sezon në nivele të larta“, thekson Andrea Agostinelli. /abcnews.al