Mbeten edhe katër hapa. Tani fitohet me mendje të ftohtë, jo vetëm me zemër! Këto janë fjalët e trajnerit të Napolit, Antonio Konte, të presidentit De Laurentis dhe të mediave, pasi skuadra “partenopea” parakaloi Interin dhe doli e vetme në krye të Serisë A.
Fitore 2-0 ndaj Torinos, me një skocez jashtëtokësor si Skot Mektominai, kombinuar me humbjen e rëndë të zikaltërve ndaj Romës, madje në “San Siro”.
Si gjithmonë, kapiteni I Kosovës, Amir Rrahmani, ishte ndër më të mirët. Përballja e vështirë në stadiumin “Maradona” u zgjidh me dy gola të Mektominait, dhe skuadra e trajnerit Antonio Konte mund të arrijë atë që bëri Diego, si dhe djemtë e Luçiano Spaletit dy vjet më parë.
“Napoli, ti je, – titullon “La Gazeta delo Sport”, – Interi bie sërish! Konte është në plus 3, titullin e ka në dorë!” “O Soule mio”, bën lojë fjalësh “Il Korriere delo Sport” me mbiemrin e shënuesit të Romës dhe këngën e njohur napolitana! Rënie e Interit, arrati e Napolit!”
E përditshmja napolitane, “Il Matino” brohoret: Arratiset Napoli! Parakalim! Dy gola të Mektominait bëjnë qytetin të shpërthejë! Plus 3 mbi Interin!”
Ja edhe gazeta tjetër e atij që quhet “qyteti I këngës”, “Kronake di Napoli”: Napoli hipotekon skudeton! Një Romë e madhe fiton me Interin! Partenopeiët I bëjnë jehonë Maradonës!”
Ç’po ndodh me Interin? Kampionët e Italisë janë në rënie të lirë, dhe humbja me Romën ishte plotësisht e merituar. Kryeqytetasit e trajnerit veteran Klaudio Ranieri kanë 17 ndeshje pa humbje në Serinë A, ndërsa zikaltërit nuk shënojnë prej tri sfidash.
Kristian Asllani këtë herë nuk u preferua asnjë minutë nga trajneri Inzagi, që po kritikohet pa fund. Ekziston frika se titulli do t’i falet Napolit, ashtu siç iu fal Milanit tre sezone më parë.
Jo vetëm kaq, por tripleta e ëndërruar mund të kthehet në “zero tituj”, siç thoshte Murinjo. Eliminim nga Kupa, pas Napolit në Serinë A, ndërsa Barcelona duket mision tepër i vështirë në Champions./abcnews.al