Zhoze Murinjo nuk arrin të marrë sërish futbollistin e dëshiruar. Mediat në Itali njoftojnë se Napoli ka hedhur poshtë një ofertë mbi 100 milionë euro të trajnerit të Mançester Junajtidit
Nuk dihet nëse i vlen 100 milionë euro, por për pak u transferua për kaq.
Mançester Junajtid ofroi një shifër të tillë për mbrojtësin e Napolit, Kalidu Kulibali, por as kjo nuk e bindi klubin italian.
Oferta e saktë e Murinjos për afrikanin ishte plot 103 milionë euro, dhe nëse do të arrihej marrëveshja, do të kishim të bënim me një rekord të ri botëror për një mbrojtës.
Për momentin, rekordin e mban një tjetër klub anglez, Liverpuli, që pagoi 85 milionë euro për mbrojtësin holandez, Virgil Van Dajk.
Mediat italiane, konkretisht “Il Korriere delo Sport”, njofton se propozimi i Murinjos iu bë Napolit, por përgjigja e presidentit napolitan, Aurelio De Laurentis, ishte një “JO” e prerë.
Ai nuk dëshiron të dobësojë skuadrën që synon të paktën për kualifikim për në Champions, pse jo edhe për titullin kampion në Itali.
Murinjo, ndërkaq, është vërtet në hall për mbrojtës.
Trajneri i Junajtidit është ankuar disa herë se klubi nuk ia plotësoi kërkesat për përforcime, ndërsa lajmet janë që nuk ka besim te qendërmbrojtësit e tanishëm si Beili, Lindelof, Xhons, Smolling dhe Roho.
Junajtidi ka pësuar 21 gola në 13 ndeshje në Premier.
Në verë, portugezi u përpoq të merrte mbrojtësin e Anglisë dhe të Leisterit, Harri Megajer, që shkëlqeu në Botëror, por klubi nuk ia plotësoi dëshirën. /abcnews.al