Përpara fillimit të sfidës kishin fituar mungesat. Napoli e Juventusi dolën në terrenin e stadiumit “Maradona” pa 13 lojtarë gjithsej, me kampionët që kishin 7 lojtarë mangut, por gjithsesi në fushë u pa futboll i vërtetë.
Sidomos nga vendasit e trajnerit Antonio Konte që sikur i përshtatet momentit. Duhej fitorja dhe napolitanët dhanë një spektakël të vërtetë, duke sulmuar gjatë gjithë kohës.
Sulmuan më shumë, gjuajtën dyfishin, qoftë në total, qoftë në kuadrat, dhe u shpërblyen me fitoren 2-1. Ylli ofensiv danez, Rasmus Hojlund, ishte heroi, autori I të dyja rrjetave.
I harruar prej dy muajsh, sulmuesi u shfaq atëherë kur ekipi kishte më shumë nevojë. Tek Juventusi nuk mjaftoi supertalenti turk, Kenan Jildiz, që shënoi rrjetën e vetme, madje pasi trajneri Spaleti e zëvendësoi “Zonja e Vjetër” humbi.
“La Gazeta delo Sport” ka lavde për kampionët: “A e patë se çfarë Napoli? Dygolësh I Hojlundit, Juves nuk I mjafton Jildizi! Konte në krye, Spaleti në minus 8!” “Kryevepër e Kontes, – titullon “Il Korriere delo Sport”, – Napoli në krye! Antonio I jep leksion Spaletit, 2-1, me shtatë lojtarë mangut! Parakalohet Interi!”
Gazeta napolitane, “Il Matino,” është në delir: Super Napoli! Të kaltrit për çmenduri, Spaleti nokaut! Kemi një bomber të vërtetë për të fluturuar!” E përditshmja “Tutosport” nga Torino kritikon trajnerin bardhezi: Ah Spaleti! Del jashtë Jildiz dhe mirupafshim Juve! Konte I pari, bardhezinjtë në -8!”
Titullar për kampionët edhe kapiteni I Kosovës, Amir Rrahmani, që luajti deri në fund si qendërmbrojtës. Napoli kryeson Serinë A me 31 pikë pas 14 javëve, një më shumë se Interi, ndërsa Juventusi është në vend të 7-të, jashtë Championsit, 8 pikë prapa kreut./abcnews.al

